Mediat italiane kanë publikuar pamjet e arrestimit të të shumëkërkuarit Gjovalin Lesi, i cili u arrestua një ditë më parë, pasi akuzohej për vrasjen e motrës dhe kunatit, në vitin 1997 në Rubik.
Sipas mediave fqinje Lesi kishte arritur të bënte një jetë normale, duke përdorur identitetin e vëllait të tij me aftësi ndyshe. Shqiptari tashmë ndodhet në burgun e Materës dhe pritet të ekstradohet në Shqipëri.
I shumëkërkuari Gjovalin Lesi ka rënë në prangat e policisë italiane pasi akuzohet për një vrasje të dyfishtë në Rubik. Krim i shënuar në vitin 1997.
55-vjeçari në vitin 1997 pas një konflikti për motive të dobëta ka vrarë me kallashnikov motrën dhe bashkëshortin e saj.
Një vit më vonë, Gjykata e Mirditës, e ka dënuar shtetasin Gjovalin Lesi, me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjovalin Lesi ishte në listën e personave më të kërkuar, pasi edhe pak vite më parë njësia e kërkimit nxori emrin dhe foton e Gjovalitin si ndër personat e shumëkërkuar.
Si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSH, me Policinë e Materas, shkëmbim i kryer me koordinimin e Zyrës së Interforcës Italiane, Zyrës së Ekspertëve Italianë të Sigurisë, në Shqipëri, dhe Shërbimit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor - Divizioni i 2-të, Romë, u finalizua operacioni policor i koduar “Verdikti”.
Gjatë këtij operacioni, u lokalizua dhe u arrestua me qëllim esktradimin në Shqipëri, shtetasi i shumëkërkuar ndërkombëtarisht Gjovalin Lesi, 55 vjeç, i lindur në Rubik.