
Gjykata e Elbasanit ka dënuar në mungesë Erjon Llapushin me 11 vite e 4 muaj burg, pas shpalljes së tij fajtor për vrasjen me dashje të kamerierit Gazmend Kurmaku, ngjarje e ndodhur më 2 tetor 2021.
Prokuroria kishte kërkuar një dënim prej 20 vitesh, por gjykata vendosi 17 vite burg, të cilat u reduktuan me një të tretën, bazuar në nenin 406 të Kodit të Procedurës Penale. Pavarësisht se ndodhet në arrati, Llapushi është përfaqësuar në gjykatë nga avokati i tij mbrojtës, i cili pranoi fajësinë dhe kërkoi uljen e dënimit.
Ngjarja tragjike ndodhi në një lokal në Elbasan, ku 33-vjeçari Erjon Llapushi sulmoi kamerierin 57-vjeçar Gazmend Kurmaku, duke e kapur nga fyti pas një debati për një tavolinë të rezervuar. Ai e kërcënoi me thikë dhe më pas e goditi për vdekje.
Duke qenë një person i njohur për veprimtari kriminale dhe dhunë, Llapushi vazhdon të jetë në kërkim. Mëngjesin e së premtes, forcat speciale të policisë, përfshirë RENEA-n, FNSH-në dhe Shqiponjat, organizuan kontrolle në 29 banesa të individëve të dyshuar si bashkëpunëtorë ose të lidhur me të.
Gjatë operacionit, u sekuestruan armë, para dhe aparate celularë, të cilët dyshohet se përdoreshin për lojëra fati. Gjithashtu, në tre banesa u gjet edhe një sasi kokaine. Megjithatë, Llapushi nuk u gjet në asnjë prej lokacioneve të kontrolluara.