Një ngjarje makabër ka ndodhur një javë më parë në Greqi ku Kastriot Cenko vrau me çekiç gruan e tij Alba dhe e mbajti të fshehur për 7 ditë në papafingon e shtëpisë.
Motra e të ndjerës, ka treguar për Shqipëria Live mesazhet që bashkëshorti i motrës u kishte shkruar familjarëve në emër të gruas së tij, me idenë që ajo po largohej nga Shqipëria drejt Italisë së bashku me një mikun e saj, me qëllim për të fshehur krimin që kishte kryer.
Motra e viktimës ka treguar se ajo nuk ishte në djeni se ata mund të kishin probleme në çift. Ndër të tjera ajo shprehet dyshuese për familjarët e kunatit të saj e cila tregon se ata kanë qenë në Greqi këtë kohë dhe është e çuditshme të mos kenë dyshuar për diçka.
“Përveç se arritën faktit në këtë konkluzion, do ketë pasur diçka. Herë pas here më thoshte që ishte e mërzitur dhe e shqetësuar.
Kishin 13-14 vite bashkë. Kishin dy fëmijë. Një 12 dhe tjetrin 9 vjeç. Fëmijët nuk janë në dijeni. Për momentin ndodhen te xhaxhallarët e tyre, vëllezërit e autorit. Prej 6 vitesh qëndronin në Greqi. Merreshin me punë të ndryshme, duke sakrifikuar.
Kunati ishte një tip që rrinte në heshtje. Punonte shumë. Të ardhura financiare sillte motra ime në shtëpi. Ajo bënte punë të ndryshme, hekurosje, parkete, spital.
Xheloz? Nuk e di. Motra nuk më thoshte që ishte xheloz. Nuk shprehte shenja xhelozie. Nuk e di ç’ndodhi kohët e fundit që dolën gjithë këto gjëra, që ka të dashur, që kishte ikur me tjetrin.
Kemi komunikuar. E pyesnim ç’po bënte. I thonim si ka ikur me një tjetër dhe ai nuk kishte dijeni. Si mund të ikte nëna e dy fëmijëve me një tjetër dhe policia mos të dinte gjë.
Ne ishim të gjitha në kontakt me të dhe na lindi dyshimi të gjithave. Thoshte që ka ikur me dikë tjetër, më ka lënë. Ne i thonim edhe nëse të ka lënë, ai të shkonte në polici.
Tradhti? Ishte mendimi i tij. Ne nuk mund të themi jo se ishte motra jonë. Por më parë nuk na i kishte shprehur këto shqetësime. 14 vite martesë, ne katër motra duhet të na thoshte diçka. Ta dinim dhe ne ku ishte problemi. Na thoshte herë pas here që kishte ikur me dikë tjetër. Na shkruante me telefonin e motrës që kam ikur me tjetrin. Ndërkohë i shkruante dhe fëmijëve me telefonin e së ëmës dhe i thoshte që kujdesuni për babin.
Vëllezërit dhe nëna e tij, që kohët e fundit ka shkuar në Greqi, por nuk jam e sigurt që rrinin te shtëpia e tyre. Këta kanë pasur marrëdhënie të mirë me njëri-tjetrin. Kjo më bën përshtypje, si këta që prej 7 ditësh, motra ime e mbyllur në papafingo, nuk kanë zbuluar gjë. Këta vëllezërit nuk e shtynin dot vëllain e tyre?
Edhe unë po të isha do shkoja te një njeri i afërm i imi. 7 ditë e mbyllur, këta nuk hapnin dot diçka. Kontakte kanë patur mendoj.
Jemi komplet motra vëllezër të rënduar për këtë rast që na ka ndodhur.
Ajo ishte e çiltër, e qeshur, e dashur me të gjithë, punëtore, nuk prishte fjalë me asnjë njeri. Nuk mund të them që kishte marrëdhënie të mirë me burrin, sepse për sa kohë arriti deri këtu, nuk besoj se kanë shkuar mirë. Që të arrish deri këtu duhet të ketë pasur diçka në mes.
Do të lutesha shumë që të më ndihmoni që të kthejmë trupin e motrës sonë në familjen tonë. Nuk kemi mundësi ekonomike, kërkojmë që të na e sjellin”, është shprehur ajo.
Nga mesazhet e bëra publike nga motra e viktimës, shihet se Kastrioti i ka shkruar nga telefoni i saj motrave të Albës duke u thënë se është nisur drejt Italisë së bashku me një mik. Motrat i kërkojnë shpjegim se çfarë po ndodh dhe pse po largohet nga shtëpia ndërsa ajo i thotë që të mos shqetësohen dhe se do t’i telefonojë kur ajo të arrijë në një vend të sigurtë.
Kujtojmë që Kastriot Cenko, 39 vjeç goditi për vdekje bashkëshorten e tij me çekiç, ndërsa trupin ia mbajti të fshehur në papafingo të shtëpisë së tyre në Ampelokipi. Shqiptari ka lajmëruar policinë pasditen e djeshme dhe ka rrëfuer se gruan e ka vrarë me çekiç dhe se e ka në papafingo të shtëpisë së tyre.
Telefonata është bërë pak pas orës 18.00, ndërsa në vendngjarje kanë shkuar oficerët e policisë për të zbuluar se çfarë ka ndodhur. Në shtëpi kishte një erë të keqe që në momentin e parë dhe u konstatua se në papafingo kishte çanta të zeza.
Bashkëshorti i ka thënë policisë se e ka vrarë me çekiç dhe me duar nga xhelozia. Siç pohoi ai, fëmijët në atë moment ishin në shkollë. Të miturit nuk kanë mundur të kuptojnë asgjë, derisa vetë 39-vjeçari vendosi të flasë. Nuk dihet nëse ky është versioni i vërtetë i ngjarjes, megjithatë është e sigurt se gjatë gjithë këtyre ditëve fëmijët lëviznin nëpër shtëpi.