
Kristjan Cenaj, i cili akuzohet si autori i vrasjes dhe zhdukjes së 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj në Kurbin, rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm. Prokuroria e Lezhës ka kërkuar këtë masë , pasi ka paraqitur edhe të dhënat e dosjes hetimore në Gjykatë.
Cenaj po përballët me akuzën e “vjedhjes me pasoje vdekjen”. Dosja e Cenajt nga Mamurrasi ka kaluar për gjykim në Gjykatën e Juridiksionit të përgjithshëm Lezhë.
Kujtojmë që pas 7 vitesh policia arriti të identifikonte Kristjan Cenajn, si autori i dyshuar i grabitjes dhe më pas vrasjes së Mariglen Gjonajt, atë kohë vetëm 16 vjeç. Edhe pse Cenaj ka mohuar akuzat, provat tregojnë se 30-vjeçari ka vrarë adoleshentin, të cilin e ka grabitur më pas.
Ngjarja ka ndodhur në 2015 në Kurbin, ku 30-vjeçari Cenaj i grabiti Gjonajt orën “Rolex” dhe një varëse floriri dhe më pas e qëlloi për vdekje. Eshtrat u zbuluan në fillim të këtij viti, ndërsa analizat e ADN-së konfirmuan se i përkisnin 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj.