
Është identifikuar edhe autori i 5-të i vrasjes së ish-policit të Antidrogës, Roland Rexhepi. Ngjarje e ndodhur më korrik të 2009.
Bëhet me dije se është identifikuar dhe shpallur në kërkim si autori i pestë i vrasjes së Rexhepit, shtetasi Gëzim Balla, 50 vjeç, banues në Elbasan. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Vrasja me paramendim", kryer në bashkëpunim dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".
Ekzekutimi i Roland Rexhepit në Elbasan
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 29 korrik 2009 në lagjen Vullnetari në Elbasan, ku ish-punonjësi i Antidrogës në Drejtorinë e Policisë Elbasan, mbeti i vrarë pas disa të shtënave me armë. Rexhepi është ekzekutuar sapo ka dalë nga pallati i tij, duke ju drejtuar garazhit për të marrë makinën dhe larguar në punë.
Në këtë moment i është afruar me motor “Zong-Zhung” njëri nga autorët e krimit, Armando Llakaj, i cili ka hapur zjarr në drejtim të Rexhepit duke e lënë të vdekur në vend. Për këtë ngjarje të rëndë që erdhi si rezultat i përplasjes mes grupit të Çapjave dhe familjes Mema në Elbasan, dy prokurorët e Elbasanit Milan Laskaj dhe Ritvan Suka, mundën të sigurojnë prova dhe arrestojnë Marjus Tafën dhe Armando Llakajn.
Të dy këta persona konsideroheshin në 2009 si njerëz të afërm të familjes Çapja, ndërsa tashmë janë dënuar me 24 dhe 23 vite burgim, ku vijojnë të vuajnë dënimin në burgun e Peqinit.
Ndërkohë, pas 12 vite nga kjo ngjarje Prokuroria ka mundur të identifikojë dhe t’i komunikojë arrestin Florind Shabanit, njërit nga bashkëpuntorët në këtë vrasje. Identifikimi i Shabanit është kryer duke analizuar një profil AND-je që është gjendur në një kapuç dhe një bisht cigare. Ky profil ka dalë i njëjtë me atë që ka dhe Florind Shabani.
Ndërsa dy muaj më parë nga Londra është ekstradur dhe Donald Hoxha, i përfshirë në vrasjen e Rexhepit, ndërsa tashmë në lidhje me vrasjen është shpallur në kërkim dhe shtetasi Gëzim Balla.
Njoftimi i plotë:
Vijon intensivisht puna hetimore nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjeve të vjetra kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në to.
Si rezultat i hetimeve, identifikohet një tjetër autor i implikuar në një vrasje, të ndodhur në vitin 2009.
Në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe partnerët vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Për këtë ngjarje janë arrestuar 4 shtetas, njëri prej të cilëve është ekstraduar nga Anglia, 2 muaj më parë.
I ekstraduari nga Anglia i lokalizuar falë informacionit që dispononte DVP Elbasan dhe Departamenti i Policisë Kriminalë, si edhe shkëmbimit në kohë të informacionit me autoritetet ligjzbatuese angleze.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Elbasan në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan si rezultat i hetimeve intensive proaktive për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, si edhe identifikimin e shtetasve të përfshirë në to, identifikuan dhe shpallën në kërkim shtetasin G. B., 50 vjeç, banues në Elbasan.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Vrasja me paramendim", kryer në bashkëpunim dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".
Shtetasi G. B., dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit A. Ll., M. T., F. Sh. (të arrestuar) dhe D. H., (i ekstraduar nga Anglia 2 muaj më parë), kanë vrarë shtetasin R. R., në vitin 2009, në Elbasan.
Strukturat hetimore të DVP Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë intensivisht punën për sigurimin e provave me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.