Gjykata e Durrësit ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për Majlind Habibin, i cili vrau shokun e tij në Spitallë të Durrësit pasi e hodhi nga ura në kanalin e ujërave të zeza.
35 vjeçari ka dalë sot para trupës gjykuese ndërsa ka mohuar akuzat për vrasje duke thënë se ai ka qenë në punë atë natë kur ka ndodhur krimi.
Në dëshminë e tij përpara gjykatës, Habibi ka thënë se ai e ka pranuar krimin pak më parë nga frika pasi është dhunuar në polici. Ai pretendon se dikush tjetër që ka dashur t’i bëjë keq , ka deklaruar se ka qenë 35 vjeçari i cili është konfliktuar me Branko Shkozën tek ura gjatë darkës dhe më pas e ka shtyrë.
“Me ka ikur gruaja nga shtëpia me fëmijen 4 vjeç dhe shtatzënë prej kesaj ngjarje. I kërkoj prokurorit të hapë kamerat e sigurisë se unë kam qenë në punë kur ka ndodhur ngjarja. Unë me Brankon jemi rritur bashkë. Më kanë dhunuar në polici që ta pranoja, e pranova nga frika dhe se di pse e bera, por se kam bere une. Dikush tjeter që do ketë dashur të më bëjë keq mua, i ka thënë që e kam bërë unë, por une nuk kam lidhje," ka thënë Majlid Habibi në gjykatë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në datën 2 dhjetor kur Mjalindi dhe Branko janë konfliktuar tek ura. Debati midis dy shokëve ka ndodhur pasi Majlindi pretendonte se Branko i kishte ngacmuar gruan dhe në nerva e sipër e ka shtyrë dhe e ka hedhur në kanalin e ujërave të zeza.
Trupi i Brankos është gjetur disa ditë më vonë në kanalin e ujërave të zeza ndërsa kanë qenë banorët e zonës të cilët kanë konfirmuar se ka qenë 35 vjeçari ai i cili ka shtyrë shokun e tij nga ura.