Jeta e 42-vjeçarit, Egli Proga, u pre në mes mesditën e së shtunës në Pogradec pas dhunës barbare të ushtruar nga 29-vjeçari, Denis Meçe.
Kjo ngjarje ka ngritur një sërë pikëpyetjesh për mënyrën se si u ndoq qysh në fillim dhe si po vijon të gjykohet.
Një tjetër dëshmi është zbardhur së fundmi. Ka qenë pikërisht një prej personave të cilët ishte ulur në tavolinë me Meçen në momentin që ndodhi krimi. Nga dëshmia e zbardhur ai ka rrëfyer momente nga ngjarja, madje mbante mend edhe minutazhin se sa u vonua ambulanca për të marrë 42-vjeçarin, mirëpo kur është pyetur lidhur me autorin se kush e dhunoi Progën ky shtetas është shprehur se nuk e mbante mend pasi ishte në gjendje të dehur dhe se nuk e kishte parë vetë Meçen që ta godiste 42-vjeçarin.
“Në tavolinën ku isha ulur unë, erdhi dhe Denis Meçe. Qëndruam për disa orë në lokal dhe pimë disa birra. Kam parë se Denisi është çuar nga tavolina dhe nuk e kam vënë re se ku shkoi, a u fut në lokal apo u largua. Ndërkohë unë kam qenë i ulur në tavolinë në atë moment, vetëm me Arjanin dhe kam dëgjuar një zonjë që bërtiste; ‘sillini ujë dhe njoftoni ambulancën’. Unë jam çuar nga tavolina dhe kam parë nga pas makinës time që ndodhej pronari i lokalit, Voltani, i ulur në gjunjë dhe në prehër mbante Eglin të cilit po i hidhte ujë në qafë. Pashë se Egli ishte i zverdhur në fytyrë.
Në atë moment janë mbledhur shumë njerëz dhe kam dëgjuar nga njerëzit e grumbulluar që Eglin e kishte goditur Denis Meçe. Më erdhi çudi pasi Denisi ishte me ne në tavolinë para se të ndodhte kjo situatë. Kam shikuar rreth e rrotull vendit, por Denisin nuk e kam parë aty. Në atë momente erdhi dhe policia. Më ka thënë ajo zonja që ta çoja Eglin me makinë në spital, por më kanë thënë se kishin lajmëruar ambulancën që të vinte ta merrte. Ambulanca ka ardhur pas 10 minutash. Nuk e kam parë se kush e ka goditur Eglin. Kam qenë i dehur”, ka thënë ai në dëshminë para hetuesve.