Ekzekutimi i 32 vjeçarit shqiptar Roan Brahimi në Athinë në kryqëzimin e rrugëve "Messolongiou" dhe "Tsaldari", dy ditë më parë, dyshohet se është përgatitur prej rreth një viti dhe autorët prisnin vetëm momentin kur ai do të mbërrinte në Greqi.
Televizioni Star në vendin fqinj bën me dije se i riu nga Lezha jetonte mes Dubait, Spanjës, Italisë dhe Greqisë, dhe dyshimet për këto lëvizje janë se ai ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës.
Madje, aq të përgatitur kanë qenë autorët dhe porositësit për këtë vrasje, saqë sipas dëshmive ata kishin rezervuar dhe vendin e parkimit për Roan Brahimin. Dy ekzekutorët kishin parkuar motorin e tyre në vendin ku ndodhi vrasja.
Pra, për t'u siguruar se viktima do të binte në kurthin e tyre dhe do të ndalej në vendin që ata donin, parkuan motorin e tyre. Sapo panë se makina ku Roan Brahimi ndodhej po afrohej, ata lëvizën motorin për t'i krijuar atij idenë se në lagje kishte parkim.
Vrasësit, të cilët dyshohet se janë me pagesë, kanë qëlluar me vetëm dy plumba nga një pistoletë e kalibrit 9mm dhe janë larguar me shpejtësi. Ata janë siguruar që djali 7 vjeçar i viktimës të mos prekej në asnjë moment, dhe bashkëshortja e tij po ashtu, që ndodhej në vendin e parë të Mercedesit.
Pasagjeri ka zbritur nga motori sapo Roan Brahimi parkoi makinën, është afruar pranë derës dhe ka qëlluar me dy plumba, një në kokë dhe një në gjoks.
Banorët e lagjes ishin rehatuar në lokalet që ndodheshin rrotull skenës së krimit dhe menduan se dy të shtënat e njëpasnjëshme të pistoletës kishin qenë fishekzjarre. Kur dolën në rrugë, dëshmitarët panë dy persona me skafandra të bardha që u larguan me shpejtësi.
32 vjeçari ndodhej prej kohësh në Dubai dhe kishte vetëm pak kohë që kishte mbërritur në Athinë, për të festuar Pashkët me bashkëshorten e tij dhe djalin 7 vjeçar.
Katerina Beqo, gruaja e dytë e Roan Brahimit, ka parë gjithë ngjarjen dhe për një moment është raportuar se ajo ishte plagosur pasi në trup kishte njolla gjaku, të cilat rezultuan më pas se ishin të viktimës. Ajo nuk mund ta besonte se partneri që ishte ulur pranë saj, tashmë nuk ishte më.
Oficerët u përpoqën ta qetësonin dhe të flisnin me të. Ajo është e vetmja dëshmitare okulare.
“Nuk e kuptova çfarë ndodhi... Jam tmerrësisht e mërzitur dhe konfuze. Nuk mund ta besoj atë që më ndodhi. Më lër të shkoj, më lër të shkoj, jam në një gjendje kaq të keqe. Kam parë vetëm një të panjohur që po afrohej me kokën ulur", u ka thënë ajo hetuesve në momentet e para.
© Newsbomb.al