
Prokuroria e Elbasanit ka mbyllur hetimet për vrasësin Donald Hoxha, ndërsa është dërguar për gjykim.
Ai është i akuzuar për veprën penale “Vrasje me paramendim ” e bërë në bashkëpunim, për vrasjen një ish efektit të krimeve Roland Rexhepi, ose i njohur ndryshe si Doda, e cila ka ndodhur në vitin 2009.
Ndërkohë, autori i dytë i kësaj vrasje nuk është gjendur ende, ndërsa Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan është duke vazhduar hetimet për zbulimin e tij.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Elbasanit përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin D.H. për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ të ish-efektivit të policisë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin D.H., i akuzuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.833/3 të vitit 2009, prokuroria arriti në përfundimin se shtetasi në fjalë ka kryer veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/a dhe 25 i Kodit Penal ndaj viktimës R.R. ish-efektiv i policisë i vrarë në vitin 2009.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan vijon hetimet në lidhje me zbulimin dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm në lidhje me këtë ngjarje.
Vrasja e ish-efektivit të policisë, Roland Rexhepi ka ndodhur në 23 korrik të vitit 2009, i cili është qëlluar me breshëri plumbash nga dy armë zjarri, automatik.