Ujëvara e Peshturës që ndodhet midis Lekdushit dhe Progonatit në Njësinë Administrative Kurvelesh të Bashkisë Tepelenë, është kthyer në një nga atraksionet më të frekuentuar të rajonit jugor.
"Ne të katër stinët e vitit këtu vinë vizitorë e turistë nga të katër anët e botës dhe zbresin ne fund të Kanionit të Gurrës për të parë këtë mrekullitë e mëmës natyrë", thotë pronari i Bujtinës "Kamping Lekdushi", Besnik Shehu.
Peisazhi i kanionit dhe i disa ujëvarave ku ujërat e kthjellëta të Burimit të Gurrës gremisen dhe rrjedhin zhurmshëm nga lartësi 50 deri në 80 metra lartësi duke rënë pingul mbi fundin e kanionit.
Edhe sot në ditën e parë të dhjetorit, muajit të fundit të vitit, nuk kanë munguar në ujëvarë dhe kanion vizitorët e apasionuar ndaj bukurive të natyrës së ashpër të krahinës së Kurveleshit. Mandej ata kanë sfiduar temperaturat e ulëta të mjedisit malor dhe janë zhytur duke u larë në ujërat e kristalta të Ujëvarës së Peshturës.
Pronari i Bujtinës VATRA në Lekdush, Çajup Kërpi thotë se, "Kanioni i Gurrës ka rreth 12 ujëvara me peisazhe mahnitëse, por për mungesë të shtigjeve të sigurta për kalimin e vizitoreve këto mrekulli të natyrës janë të pavizitueshme".
Vetë banorët kanë bërë përpjekje për të hapur disa shtigje midis terrenit shkëmbor e te mbuluar me shkurre për të kaluar vizitorët dhe turistët që vinë të shijojnë bukuritë e Kanionit të Gurrës dhe Ujvarën e Peshturë. Por edhe këto shtigje të improvizuara nuk janë shumë të sigurta për lëvizjen e turistëve në terrenin e aksidentuar të kanionit.
E. Serjani