Hapësire reklamuese

Aktualitet

Vishet me mister zhdukja e 3 vjeçarit në Durrës, Policia kontrollon dhe shtëpinë e gjyshit por nuk e gjen

Shkruar nga Newsbomb
Vishet me mister zhdukja e 3 vjeçarit në Durrës, Policia
Policia e Durresit - Nena e 3 vjeçarit

Një 3 vjeçar nga Durrësi rezulton se është zhdukur prej katër ditësh, pasi e ëma e kishte dërguar te gjyshërit, prindërit e ish-burrit. Nëna 23 vjeçare ka bërë kallëzim në Policinë e Durrësit, ku ka deklaruar se djalin e kishte çuar te gjyshërit, si çdo herë, por kur ka shkuar për ta marrë askush nuk është përgjigjur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës njoftojnë se kanë referuar materialet në prokurori dhe ka nisur procedimi penal për gjyshin Rexhep Gjuni, 60 vjeç. Kallëzimi penal është bërë më datë 13 Prill, por lajmi është bërë i ditur vetëm sot.

Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e Rexhep Gjunit por nuk e kanë gjetur fëmijën dhe po vijojnë kontrollet intensive për 3 vjeçarin.

Djali i 60 vjeçarit ishte i martuar dhe nga kjo marrëdhënie kishte ardhur një jetë një djalë i cili sot është 3 vjeç. Por, një vit më parë djali i Rexhep Gjunit ka ndërruar jetë në një aksident rrugor dhe fëmijën e mbante nëna 23 vjeçare, duke e lënë për disa orë në fundjavë që të çmalleshin dhe gjyshërit.

”U bënë 4 ditë, ma kanë marrë (djalin) që të shtunën në mëngjes edhe nuk ma kanë sjellë. Bashkëshorti ka 1 vit e dy muaj që ka vdekur, edhe ato duan të marrin çunin, s'pranonin, thonë që të rrijë me ne. Vjehrri dhe vjehrra, ua kam lënë disa orë, nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 3 pasdite.

E kam marrë në mëngjes dhe nuk ma kanë sjellë. Pastaj kur shkova në orën 3 i marr në telefon, ku jeni pse nuk keni ardhur, thonë nuk ta sjellim më. Shkova direkt tek policia, shkova fillimisht tek shtëpia e tij, nuk ishte dhe shkova më pas denoncova. E kanë marrë në telefon dhe u bënte presion nuk e sjell, vetëm kur të ma japin mua çunin.

Ai nuk tregon (vjehrri) se ku është, thotë se nuk e di, gënjen. Unë jam nga Dibra, ata janë nga Kukësi, duan ta mbajnë ato. Dua çunin tim. U bënë 4 ditë që nuk është këtu. Marrëdhënia me vjehrrin me vjehrrën nuk ka qenë mirë, që kur ka vdekur burri. Kam ikur te shtëpia e babit. Në Kënetë në Durrës", ka deklaruar nëna e djalit 3-vjeçar.

Njoftimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin R. Gj., 60 vjeç, pasi më datë 13.04.2024, në këtë komisariat, është paraqitur një shtetase 23 vjeçe, banuese në Durrës, e cila ka kallëzuar se vjehrri i saj, shtetasi R. Gj., ka marrë fëmijën e saj 3 vjeç dhe nuk ia ka kthyer më.                  

Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit R. Gj., por nuk e kanë gjetur fëmijën. Vijojnë kontrollet intesive për gjetjen e tij. Për ecurinë e kërkimeve dhe të veprimeve hetimore për këtë rast do të ketë njoftime të tjera në vijim.     

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese