Hapësire reklamuese

Aktualitet

Vilë me pamje nga liqeni, 10 apartamente dhe 22 dyqane! Pronat e ish-drejtorit të Policisë në zonat më të lakmuara të Tiranës

Shkruar nga Newsbomb
Vilë me pamje nga liqeni, 10 apartamente dhe 22 dyqane! Pronat e
Oltian Bistri dhe zona ku ndodhet vila e tij

Pasuri e përllogaritur me vlerë mbi 3 milionë euro ose 3 miliardë lekë, në pronësi të ish-shefit të Forcës Operacionale Oltian Bistri, është sekuestruar nga SPAK. Vendimi është marrë 11 ditë më parë dhe është bërë i ditur sot, përmes një njoftimi për shtyp.

Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedim pasuror për pasuritë në zotërim të shtetasit Oltian Bistri dhe familjarëve të tij, pasi një vit më parë ky shtetas është marrë i pandehur për dosjen "Metamorfoza".

SPAK thotë se ndaj ish-shefit të Operacionales ka pasur indicje që në vitin 2016 për përfshirje në veprimtari kriminale, ndaj tashmë që ai është marrë i pandehur zyrtarisht, janë marrë masa parandaluese për pasurinë, në bazë të ligjit antimafia të 2009.

Vilë me pamje nga liqeni, 10 apartamente dhe 22 dyqane! Pronat e
Ish-shefi i Operacionales, Oltian Bistri

Ndaj shtetasit Oltian Bistri dhe familjarëve të tij (të cilët kanë pasur transaksione të lidhura apo të dyshuara se janë kryer për shtetasin Oltian Bistri), janë kryer të gjithë verifikimet pasurore të mundshme, nga të cilat ka rezultuar se zotërojnë pasuri vlera e të cilave është disa herë më e lartë se të ardhurat e ligjshme.

Në total, me kërkesë të SPAK janë sekuestruar 22 Njësi (dyqane/ambiente biznesi); 10 Apartamente; 1 Vilë; 1 Truall; 1 Garazh dhe 1  Automjet, me vlerë totale sipas çmimeve të përcaktuara në kontratat noteriale 3.091.519 Euro, ose 3 miliardë lekë të vjetra.

Ku ndodhen pronat e Oltian Bistrit?

Referuar njoftimit për shtyp të Prokurorisë së Posaçme, bie në sy numri i lartë i pronave padyshim për një drejtues policie, niveli i pagës i të cilit dihet sa është, si dhe zonat e lakmuara ku ato janë vendosur.

Bëhet fjalë për 18 dyqane dhe 1 Apartament të ndodhura në rrugën “Todi Shkurti”, Tiranë; katër apartamente me sipërfaqe totale prej 1300 m2, tre nga 400 m2 dhe një 100 m2, kati i 6 (gjashtë) dhe kati i dhjetë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë; dyqane dhe apartamente  në kompleksin “Square 21”, në Rrugën e Kavajës; apartament në “Kompleksin Delijorgji”, dhe dy apartamente e një vilë në zonën e Liqenit të Tiranës.

Vilë me pamje nga liqeni, 10 apartamente dhe 22 dyqane! Pronat e
Green Valley ne Liqenin e Tiranes, ku ndodhet vila e bistrit

Të gjitha pasuritë e mësipërme janë marrë në administrim nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme, Tiranë. Më poshtë, po publikojmë detajet e plota të pronave:

-        18 Njësi (dyqane) + 1 Apartament, të ndodhura në rrugën “Todi Shkurti”, Tiranë;

-         Apartament me sipërfaqe totale prej 400 m2, kati i 6 (gjashtë), ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;

-         Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 200 m2, Zona Kadastrale 8270, ndodhur në “Rrugën e Kosovarëve”, Tiranë;

-         Apartament me sipërfaqe 66.5 m2,  ndodhur në kompleksin “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

-         Apartament me nr. 18/C, kati i shtatë teknik/8 ndërtim, me sipërfaqe 73.16 m2, i ndodhur në godinën 1, në “Kompleksin Delijorgji”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

-         Apartament me sipërfaqe 400 m2, kati i gjashtë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;

-         Njësi (dyqan) me sipërfaqe 125 m2, në katin e parë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

-         Apartament me sipërfaqe 138.3 m2, ndodhur në Selitë, Tiranë;

-         Garazh me sipërfaqe 87.8 m2, ndodhur në Selitë, Tiranë;

-         Apartamenti me sipërfaqe 100.6 m2, në katin e dhjetë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;

-         Njësi (dyqan) me sipërfaqe ndërtimore 72 m2, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

-         Vila A14, në rezidencën “Green Valley”, Tiranë;

-        Apartament me nr. 3, kati i katërt, me sipërfaqe 58.5 m2, ndodhur në rrugën “Ndreko Rino”, Tiranë;

-         Apartament me nr. 9, kati i dytë, me sipërfaqe 58.9 m2, ndodhur në rrugën “Ndreko Rino”, Tiranë;

-         Pasuri e llojit njësi (dyqan), me sipërfaqe ndërtimore 110 m2, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

-         Pasuri e llojit apartament, me sipërfaqe totale 400 m2, kati i gjashtë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;

-         Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe totale 95 m2, në katin e parë,  ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

-         Automjet i markës “Land Rover” model “Range Rover Sport”, vit prodhimi 2012.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese