Hajrulla Xhivini është një nga pesëmbëdhjetë kandidatët që kanë shprehur interes për të qenë pjesë e garës për kryepolicin e ri të Shqipërisë. Ky shtetas njoftohet se është ish-drejtues i Policisë së Shtetit, por prej kohësh njihet si një "tiktoker" që sulmon qeverinë dhe drejtuesit e policisë.
Verën e këtij viti, në muajin Korrik ky shtetas ra në prangat e Policisë së Tiranës, pasi urinoi në derën e Gjykatës së Lartë dhe shantazhoi kryetarin Sokol Sadushi.
Togat e zeza dhanë ndaj tij masën e sigurisë "Arrest në shtëpi" duke e akuzuar për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Prishje e qetësisë publike”. Hajrulla Xhivini shfaqet si përfaqësues i një subjekti të quajtur "Shqipëria Europiane" dhe ka shprehur interes për garën për kryepolic të Shqipërisë.
Edhe në një video të shpërndarë disa orë më parë, ky shtetas thotë nga Italia se garon për të qenë drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Megjithatë, pas verifikimit paraprak pritet të bëhet skualifikimi i tij i menjëhershëm nga gara dhe të kërkohet arrestimi, sepse duke qenë se Hajrulla Xhivini ndodhet në shtetin italian aktualisht, ai ka thyer masën e sigurisë të dhënë nga Gjykata e Tiranës, me "arrest shtëpie".
"Unë jam me popullin e thjeshtë, jam me zbatimin e ligjeve, nuk jam si ata kriminelët e mëparshëm", dëgjohet të thotë Hajrulla Xhivini, teksa garanton se nëse zgjidhet kryepolic do të zbatojë vetëm ligjin. Për këtë, thotë se do të përdorë dhe aftësitë që ka në sistemet informatike.
@shqiperiaeuropiane Hajrulla Xhivini drejtuesi i policise se shtetit Shqipëtar.
♬ Sword of the Spirit - Spiritual Warfare Music Epic