
Gjergj Luca ndryshe nga sipërmarrësit e tjerë të cilët preferojnë të qëndrojnë në kornizat e boznesit të tyre, ka zhvilluar një takim me studentët që vijojnë studimet në degën “administrim-biznes”.
Luca ka hapur dyert e Rozafës për të rinjtë të cilët ishin kuriozë të mësonin nga sipërmarrësi sekretet dhe çelësin e suksesit.
Gjatë fjalës së tij, Luca u ka treguar përvojën e jetës, se si në moshën 16-vjeçare kishte filluar të punonte dhe se si “halli” iu kthye në ëndërr e ëndrra më pas në motivim e pasion, duke e çuar këtu ku ai është sot.
Ndër të tjera biznesmeni këshilloi studentët që të përfshihen një vit në tregun e punës dhe më pas përmes saj do të kuptoni se çfarë dëshirojnë në të vërtetë që të bëjnë në të ardhmen.
“Punoni në prodhim një vit me pasion, nëpërmjet punës ju do të kuptoni të vërtetën tuaj, të shpirtit tuaj, vetëm nëpërmjet punës do të kuptoni se çfarë doni në jetë, ku doni të vraponi çfarë sfida doni të ndërmerrni”, tha Luca.
“Unë jam një njeri që kam studiuar për regjizurë, por kam filluar punën shumë herë. Kam filluar punë që 16 vjeç. Në biznes jam një njeri autodidakt që kur pyesin njerëzit “Si Luc ke ecur kaq shumë përpara”, unë i them që kam pasur një shok që ju se mbani mend që ka qenë halli dhe halli njerëzit i çon përpara, halli i bën njerëzit të vrapojnë dhe ai halli pastaj kthehet në ëndërr, ëndrrat të motivon, motivi kthehet në pasion dhe pasioni dhe forca të çon përpara . Unë kam një tog fjalësh që e përdor për rininë. Shqetësimi im për rininë është e vërteta dhe unë asaj fjalë të vërteta i ngjis dhe një fjali tjetër dhe them e vërteta që del nga puna është e vërteta më e rëndësishme që njeriu duhet të kuptojë dhe është e vërteta më e rëndësishme që brezin tuaj e çon përpara.
Ne kemi ecur duke kuptuar të vërtetën tonë dhe nuk kemi gabuar sepse kemi dit kush është e vërteta që ne duam, kuptojmë, virtyti, e drejta, e pastra e ndershmja dhe këto janë kollonat vertebrale të rinisë, këto janë kollonat të moshës tuaj dhe si arrin njeriu në këto kollona. Sigurisht a e alfabetit është familja, por baza është puna”, tha biznesmeni ndër të tjera.