Mjeku Edmond Gashi dhe pjesa tjetër e stafit të Spitalit Onkologjik u njohën sot me masat shtrënguese të dhëna ndaj tyre nga Gjykata e Tiranës. Për personin në fjalë, u vlerësua i ligjshëm "Arresti në shtëpi" deri në përfundim të hetimeve.
Kjo masë sigurie parashikon që personi i akuzuar duhet të largohet nga shtëpia vetëm me kërkesë të Gjykatës së Tiranës dhe i shoqëruar nga efektivët e Policisë së Shtetit, dhe anasjelltas dhe për kthim nga salla e gjyqit në shtëpi.
Mirëpo, sot mjeku Edmond Gashi u largua me vrap nga ambientet e gjykatës dhe nuk dihet nëse është në shtëpinë e tij apo në ndonjë ambient tjetër. Pamjet e kamerave të sigurisë, veç atyre të publikuara me herët nga mediat, janë bërë publike dhe tregojnë episodin.
Edmond Gashi qëndron për disa momente në hollin e Gjykatës së Tiranës, pasi kishte mbaruar gjyqi për masat e sigurisë, më pas atij i bashkohet dhe koordinatori që e përdorte për sekser, Emiljano Lela dhe të dy largohen me vrap.
Ata shfrytëzojnë momentin kur dera e jashtme e Gjykatës së Tiranës hapet për një punonjëse të autorizuar dhe largohen me vrap. Siç shihet dhe nga pamjet e publikuara, vrapi vazhdon pas godinës deri në rrugën kryesore.
Ndërkohë, vetë Gjykata e Tiranës ka dalë me një deklaratë zyrtare për mediat dhe sqaron se shtetasi i akuzuar Edmond Gashi në zbatim të masë shtrënguese të sigurisë "Arrest në shtëpi" duhet të ishte shoqëruar deri në shtëpi nga efektivët e Policisë së Shtetit. Edhe vetë togat e zeza sqarojnë se mjeku i Onkologjikut është larguar fshehurazi.
"Me përfundimin e seancës gjyqësore, pasi gjyqtarja ka lënë sallën e gjyqit, po kështu me radhë pas saj edhe prokurori, avokatët, si dhe vetë personat nën hetim, shtetasi Edmond Gashi, teksa ka qenë në korridorin e katit të parë të gjykatës, duke përfituar nga një moment i vetëm në të cilin një punonjëse e gjykatës ka qenë duke dalë në rrethana krejtësisht rastësore nga dera e cila shërben për hyrjet dhe daljet e autorizuara vetëm të gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatës (me karta të posaçme), ka dalë i shoqëruar edhe nga një shtetas tjetër, duke u larguar me vrap, i pa shoqëruar nga asnjë punonjës i policisë së shtetit", thuhet në njoftimin e Gjykatës së Tiranës.
Njoftim për shtyp - Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
Referuar interesit të shfaqur mediatik, nëpërmjet disa komenteve dhe pamjeve filmike të shfaqura ditën e sotme, në disa portale/media online, komunikohet informacioni zyrtar në vijim:
1. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, me vendimin numër 1585, datë 19.06.2024, ka vendosur, ndër të tjera: “Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim E. G., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal. ………."
2. Me vendimin Nr. 1651, datë 27.06.2024 Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, ka vendosur ndër të tjera: “Miratimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim E. G., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal”.
Referuar vendimeve të sipër cituara, ndaj personit nën hetim E. G., është caktuar nga Gjykata, masa e sigurimit personal shtrëngues, “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.
Kështu, në datën 27.06.2024, për paraqitjen dhe pjesëmarrjen e tij në seancën e caktuar për “Komunikimin e masës së sigurimit personal të caktuar në mungesë nga Gjykata”, në zbatim të nenit 248 të K.Pr.Penale, personi nën hetim E. G., do të duhej të ishte i shoqëruar nga punonjës të policisë së shtetit, të cilët në zbatim të vendimit të gjykatës si dhe në referim të nenit 237 të K.Pr.Penal, duhet të ndjekin dhe të zbatojnë me përpikmëri vendimet e gjykatës, si dhe zbatueshmërinë e masave të sigurimit.
Me përfundimin e seancës gjyqësore, pasi gjyqtarja ka lënë sallën e gjyqit, po kështu me rradhë pas saj edhe prokurori, avokatët, si dhe vetë personat nën hetim, shtetasi E. G., teksa ka qënë në korridorin e katit të parë të gjykatës, duke përfituar nga një moment i vetëm në të cilin një punonjëse e gjykatës ka qënë duke dalë në rrethana krejtësisht rastësore nga dera e cila shërben për hyrjet dhe daljet e autorizuara vetëm të gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatës (me karta të posaçme), ka dalë i shoqëruar edhe nga një shtetas tjetër, duke u larguar me vrap, i pa shoqëruar nga asnjë punonjës i policisë së shtetit.