Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Vettingu i KPA-së nxjerr përfundimisht nga sistemi i drejtësisë gjyqtarin Bujar Musta

Shkruar nga Newsbomb
Vettingu i KPA-së nxjerr përfundimisht nga sistemi i
Gjyqtari Bujar Musta, pas shkarkimit nga KPK më 2021

Gjyqtari i Gjykatës së Elbasanit, Bujar Musta, është përjashtuar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë për 15 vitet e ardhshme. Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e kishte shkarkuar atë në vitin 2021 pas konstatimit të parregullsive në të tre kriteret e vettingut.

Trupa gjykuese e KPA-së, e kryesuar nga Ina Rama dhe me anëtarë Rezarta Schuetz, Albana Shtylla, Mimoza Tasi dhe Sokol Çomo, shqyrtoi ankimimin e Mustës kundër vendimit të KPK-së nr. 447, datë 17 shtator 2021. Pas vlerësimit të fakteve, KPA vendosi në mënyrë unanime të rrëzojë kërkesën e ish-gjyqtarit dhe të lërë në fuqi vendimin e mëparshëm të shkarkimit. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn menjëherë në fuqi.

Gjatë seancës dëgjimore në shtator 2021, KPK kishte ngritur dyshime serioze mbi burimin e pasurive të Mustës, duke përfshirë fshehjen e një apartamenti përmes kontratave fiktive. Po ashtu, u evidentuan veprime të kundërligjshme në ushtrimin e detyrës dhe favorizim i palëve në procese gjyqësore.

Një raport i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kishte sjellë prova që lidhnin Mustën me korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Megjithëse ai i kundërshtoi këto gjetje dhe kërkoi të rikthehej në detyrë, nuk arriti të bindë KPA-në me argumentet e tij.

Bujar Musta ka qenë pjesë e sistemit gjyqësor që nga viti 1993, duke shërbyer për më shumë se 20 vjet në Gjykatën e Elbasanit. Në vitin 2014, ai u përball me një procedim disiplinor nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, duke marrë një masë "vërejtje me paralajmërim".

Me këtë vendim, procesi i vettingut vulos largimin përfundimtar të tij nga drejtësia, duke e ndaluar rikthimin në sistem për 15 vitet e ardhshme.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese