Pas reshjeve të dendura në pjesën e dytë të ditës së sotme, intensiteti i reshjeve ka rënë dhe si pasojë edhe uji është tërhequr. Mbi këtë situatë ministri i brendshëm, Ervin Hoxha në këto orë të mbrëmjes ka zhvilluar një komunikim me Prefektët e Qarqeve.
Të gjithë janë në monitorim të situatës dhe drejtojnë shtabet e emergjencave. Sa i përket situatës në Vlorë, akset rrugore janë të hapura dhe të kalueshme, por këshillohet që drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes të shtuar.
“Situata me motin po shkon drejt përmirësimit, pas rreshjeve të dendura që ranë gjatë ditës. Me ndaljen apo uljen e intensitetit të reshjeve në orët e mbrëmjes, gjithçka po shkon drejt normalitetit.
Para pak minutash pata një komunikim me Prefektët në qarqe, që janë në monitorim të situatës dhe drejtojnë shtabet e emergjencave.
Problematika më serioze paraqitet ende në Vlorë. Forcat e emergjencës, ushtrisë, bashkisë dhe të Policisë së Shtetit janë ende në terren. Akset rrugore janë të hapura dhe të kalueshme, por këshillohet që drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes të shtuar", shkruan ministri Ervin Hoxha.