Një aksident tragjik i mori jetën mbrëmjen e djeshme Petro Pitit, një 25-vjeçari nga Ura Vajgurore në Berat, teksa udhëtonte në aksin Lushnjë-Berat. Ngjarja ndodhi pranë fshatit Kashtbardhë, kur i riu u përball me një traktor pa drita që kishte ndaluar në rrugë. Përpjekjet e tij për të frenuar ishin të kota, pasi autoboti i karburantit që drejtonte nuk mundi të ndalej për shkak të peshës së ngarkesës. Në përpjekje për të shmangur përplasjen me traktorin, ai devijoi drejt kanalit, ku autoboti u përmbys.
Përplasja rezultoi fatale, dhe Petro mbeti i bllokuar për rreth një orë në mjet. Shefi i zjarrfikëses së Lushnjës, Xhezmi Metushi, shpjegoi se operacioni për shpëtimin e tij, i cili ishte tejet i vështirë dhe me rrezik të lartë për shkak të rrjedhjes së karburantit.
Zjarrfikësi tregoi për Euroneës Albania autobotin ishte përmbysur rreth 15 metra larg rrugës, në një tokë bujqësore, gjë që e bëri të pamundur ndërhyrjen e menjëhershme. Metushi shtoi se, kur arritën në vendngjarje, nuk kishte më shenja jete tek 25-vjeçari, duke e bërë operacionin më tepër një përpjekje për të nxjerrë trupin nga mjeti.
“Shkuam me shpejtësi në vendngjarje, e drejtova vetë operacionin. Duke parë situatën, pasi siguruam zonën dhe punonjësit tanë mos ndodhte ndonjë gjë më e keqe se kishte rrjedhje karburanti të shumtë, ishte me rrezik të shtuar, kishte rrjedhje nafte ku ishte batuar boti. Menjëherë jam lidhur me drejtorin e përgjithshëm që lajmëroi zjarrfikësit fqinj dhe menjëherë ka ardhur një zjarrfikëse me 7 efektivë nga Berati. Jam lidhur me kryetaren e bashkisë që më ka sjellë fadroma dhe mjete të rënda. Situata na e vështirësi punën, mjeti i batuar ishte në tokë bujqësore, ishte në arë, rreth 15 metra nga rruga.
Pastaj na kanë ardhur edhe mjete të rënda që bënë të mundur ngritjen e mjetit se ishte e pamundur të veprohej në ato kushte. Kur kemi shkuar ne nuk ka pasur shenja jete, dhe ishte e pamundur të ngrihej mjeti për pozicionin që ishte. Më tej u ndërhy me një mjet vinç të tonazhit shumë të rëndë që ngriti mjetin në lartësi. U munduan ta lëviznim dhe ishte e pamundur që ta nxirrnim të aksidentuarin, ishte e pamundur se pozicioni ishte i tillë”, tha zjarrfikësi.