Hapësire reklamuese

Aktualitet

Vdekja e Brian Spahiut pas ndërhyrjes në klinikën dentare të Ina Xhaxhos, mjekët italianë do të kryejnë ekspertizën

Shkruar nga Newsbomb
Vdekja e Brian Spahiut pas ndërhyrjes në klinikën dentare të
Ronald Xhaxhi, Brian Spahiu dhe Ina Xhaxho

Një grup mjekësh italianë do të kryejnë akt-ekspertizën mjekoligjore, për të përcaktuar shkakun e vdekjes së 3-vjeçarit Brian Spahiu.

Vogëlushi 3-vjeçar gjeti vdekjen në reanimacionin e pediatrisë në QSUT më 1 tetor, 3 ditë pas ndërhyrjes në dhëmbë në klinikën private të Ina Xhixhos.

Babë e bijë, Roland dhe Ina Xhaxho janë në hetim në gjendje të lirë nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale “Neglizhenca ne trajtim mjekësor”.

Brian Spahiu u dërgua nga prindërit për kurim të dhëmbëve në klinikën e Ina Xhaxhos në 28 shtator 2023. Për shkak të shumë dhëmbëve të prishur, fëmijës i është bërë narkozë dhe pas përfundimit të procedurës, fëmija ka shkuar në spitalin pediatrik, dhe siç u raportua më herët ai nuk kishte puls. E gjjthë ndërhyrja në dhëmbë ka rezultuar fatale për vogëlushin, pasi më 1 tetor ai humbi jetën.

Babai i Brianit akuzoi mjekun Roland Xhaxho se para se djali të futej në sallë i kishte thënë që do i bënte vetëm një pastrim dhëmbësh, mirëpo të miturit i ishin bërë 14 dhëmbë dhe u mbajt në sallë për gati 9 orë.

“Djali për herë të parë në klinikë ka shkelur vetëm ditën e operacionit. Djali ka bërë operacion para dy vitesh, kam diskutuar edhe me doktorin, kam marrë edhe letër me vulë nga kardiopediatri, që ndiqte Brianin. Mjeku më tha që nuk ka asnjë problem fare që kishte bërë operacion në zemër. E çova për pastrim dhëmballe djalin atë ditë. Unë në kohën që ky vazhdonte me ndërhyrjet e kam pyetur disa herë për pastrimin e gurëzave.

I kam thënë “mund të bëjmë një dhëmb sot, një nesër”. Më ka thënë “jo, sot”. Kam shkuar me bashkëshorten, gjyshin e tij dhe dajën e djalit. Nuk është kuruar asnjëherë për infeksion në gojë. Çdo 6 muaj bënim analizat, në datën 28 ai ka bërë vetë analizat. Mjeku tha që janë në rregull, vazhdojmë procedurat.

Kam folur me Roland Xhaxhon dhe Ina Xhaxhon. Ai më tha që do zgjaste operacioni maksimumi 3 orë. Më ka thënë anestezi e gjenerale, jo totale siç thotë ai. Briani u fut rreth orës 10:00 të mëngjesit dhe ka dalë në 19:00. I trokita tek dera disa herë thanë vazhdon procedura. Briani është shumë në rregull tha mjeku, pas përfundimit të ndërhyrjes. Nuk është e vërtetë që djali ka dalë duke qarë, ishte i përgjumur. E kishim lënë për 1-2 dhëmbë, në fund kur do bënim pagesën na thanë 14 dhëmbë.

Mjekun e telefonova kur djalit filloi që t’i ngrihej temperatura. Nuk ia uli temperaturën, e dërgova në reaminacion”, akuzoi aso kohe i ati i Brian Spahiut.

Më vonë ka reaguar edhe mjeku Roland Xhaxho i cili tha se fëmijës i është bërë ndërhyrja sipas protokolleve ndërkombëtare.

“Fëmija kreu në klinikë procedurat dentare nën anestezi të përgjithshme ashtu siç ishim sqaruar me prindërit të cilët kane firmosur edhe konsensusin. Pse u zgjodh kjo mënyrë trajtimi? Sepse djali ka lindur me defekt në zemër për të cilin është operuar rreth 2 vite më parë. Rekomandimi kryesor në këto raste është evitimi i çdo vatre infeksioni te këta fëmijë sepse shkakton infeksione të dhëmbëve të cilat në mënyrë absolute duheshin kuruar brenda një seance në mënyrë që të evitohej përhapja e infeksioneve. Djali ka dalë nga klinika i zgjuar në krahët e babait të tij”, deklaroi doktori.

Sipas mjekut, gjendja është komplikuar kur fëmija ka qenë në shtëpi dhe më pas është dërguar në ambientet e QSUT-së nga prindërit. Xhaxho shprehet se sapo është informuar për këtë, ka kontaktuar me kolegët e QSUT dhe me kërkesë të familjarëve ka qenë duke i asistuar ata.

“Këtë informacion ma bëri të ditur personalisht gjyshi i djalit, i cili erdhi më takoi në klinikë në orën 12:00 të natës. Gjendja e tij shëndetësore u përmirësua ndjeshëm në 24 orët e para, por më pas fatkeqësisht është rënduar, pavarësisht përpjekjeve të pafundme. Unë nga ana profesionale kam bërë çdo gjë të mundur edhe në QSUT bashkë me kolegët e mi, për të shpëtuar jetën e fëmijës.

Më vjen sinqerisht keq për djalin, më dhemb zemra sidomos për ata prindër që nuk do e kenë më, por nga ana ime profesionale garantoj që ka qenë në maksimum në çdo moment”, tha ai aso kohe.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese