
Autoritetet kanë nisur gjurmimin e kontakteve të vajzës 17 vjeçare nga Durrësi, e cila ndërroi jetë për shkak të një bakteri të rrallë. Ajo u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi të jetonte dhe më vonë u zbulua se ishte prekur nga meningiti akut.
Gjithashtu, po merren masa dhe për personelin mjekësor të Urgjencës Spitalore të Durrësit dhe familjarët e vajzës, për të parë nëse ata janë prekur nga ky bakter.
Zyra Vendore e Arsimit në Durrës ka bërë me dije për Top Channel se masa po merren edhe në gjimnazin “Leonik Tomeo,” ku mësonte 17 vjeçarja. Ambientet e shkollës do të dezinfektohen, ndërsa autoritetet shëndetësore po gjurmojnë personat që kanë pasur kontakte me të.
Gjimnazistja humbi jetën në shërbimin infektiv të QSUT, pasi gjendja e saj u përkeqësua me shpejtësi. Analizat laboratorike në ISHP pritet të përcaktojnë nëntipin e saktë të shtamit, gjë që do të ndihmojë në vlerësimin e rrezikut dhe ndalimin e përhapjes së kësaj sëmundje infektive.
Vajza u dërgua të shtunën në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Durrësit me simptoma të ndryshme, si dhimbje koke dhe të vjella dhe menjëherë u vendos transferimi në Tiranë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 17 vjeçarja nuk mundi të mbijetonte.
Mjekët kanë deklaruar se kjo formë e meningitit nuk ishte shfaqur prej kohësh në qytet dhe autoritetet janë vënë në lëvizje për të kuptuar burimin dhe për të parandaluar raste të tjera të mundshme.
Çfarë është meningiti bakterial?
Meningiti bakterial është një inflamacion i rrezikshëm i membranave që mbulojnë trurin dhe palcën kurrizore. Shkaktohet nga baktere të ndryshme, si Neisseria meningitidis dhe Streptococcus pneumoniae. Simptomat e tij përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje koke të forta, ngurtësi të qafës, të përziera dhe në disa raste konfuzione apo krizë epileptike.
Sëmundja mund të jetë fatale nëse nuk trajtohet shpejt dhe në mënyrë agresive me antibiotikë. Për më tepër, ajo mund të përhapet përmes pështymës ose sekrecioneve respiratore, duke rritur rrezikun e infektimit te personat që kanë pasur kontakt të ngushtë me të prekurin.