
Tiranë më 16 Maj 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron të papranueshme gjuhën e disa prej drejtuesve të partisë kryesore të opozitës ndaj gazetarëve në protestën kundër procesit zgjedhor të 11 majit, të zhvilluar në Bulevardin Zog i I në Tiranë.
Reporterët dhe operatorët e mediave u janë drejtuar krerëve të protestës opozitare me pyetje dhe si përgjigje, prej tyre dhe mbështetësve të pranishëm, kanë marrë reagime dhe etiketime të palejueshme.
Gazetarët e pranishëm në aktivitete politike apo protesta nuk kanë asnjë angazhim politik, por vetëm misionin e raportimit dhe të pasqyrimit të asaj që ndodh. Cdo etiketim apo polemikë me reporterët, në protestat e subjekteve politike, janë të papranueshme dhe përbëjnë shkelje të etikës dhe cënim të lirisë së shprehjes, raportimit dhe kërcënim në krye të detyrës.
Tendenca për të politizuar pyetjet apo këmbënguljen e gazetarëve për shkak të pyetjeve të tyre, është e gabuar dhe na kthen në fillimet e pluralizmit politik shqiptar dhe në mendësitë e kulturës së munguar të diversitetit demokratik.
UGSH dënon këto episode, agresionin verbal dhe stigmatizimet që deputetë dhe drejtues të vecantë të opozitës dëshmuan në këtë aktivitet politik të tyre.
Kërkojmë prej opozitës dhe përfaqësuesve të saj, të pranishëm në këtë ndodhi, të reflektojnë në respekt të medias, rolit të gazetarisë dhe pavarësisë së gazetarëve në përgjithësi.
Betejat e opozitës janë të lidhura dhe duhet të mbesin vetëm brenda politikës, me palët dhe kundërshtarët politikë të saj. Gazetarët janë përfaqësues të një pushteti tjetër në demokraci.
Nuk është e drejtë që për arsye të kundërshtarëve apo armiqve politikë, sikundër është karakterizuar klasa jonë politike, të shtojë në listën e armiqve gazetarët dhe rolin e mediave. Kjo është e papranueshme!
UGSH shpreh solidaritetin e fuqishëm me kolegët dhe operatorët që u përballën me këtë situatë në protestën e thirrur prej opozitës. “Apelojmë që forumet dhe drejtuesit e lartë të opozitës të distancohen urgjentisht nga ky rast dhe sjellje të kësi shembujve, në marrëdhënien me gazetarët në detyrë”, thotë reagimi.