
Policia e Korçës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur një ditë më parë ku një 18-vjeçar u dhunua barbarisht nga disa persona.
Gjatë hetimeve ka rezultuar se 18-vjeçari me ininciale M.J, së bashku me një 40-vjeçar më herët kanë goditur fizikisht një prej autorëve të përfshirë në ngjarjen e djeshme, konkretisht 27-vjeçarin me ininciale A.D.
Gjithashtu blutë e Korçës bëjnë me dije se po këta persona, në bashkëpunim dhe me disa shtetas të tjerë i kanë hequr lirinë një tjetër qytetari, ku për arsye hetimore, nuk janë dhënë më tepër detaje.
Për këtë arsye Policia e Korçë ka bërë të mundur ndalimin e 18-vjeçarit si dhe 40-vjeçarit, ndërkohë po punojnë për kapjen e 5 personave, S. S., 33 vjeç, S. S., 25 vjeç, Dh. D., 38 vjeç, A. D., 27 vjeç dhe M. B., 39 vjeç, banues në Korçë, të cilët u shpallën në kërkim pasi dhunuan të riun.
Kujtojmë se pasditen e së mërkurës shtetasit e lartpërmendur përplasën me automjetin e tyre “Range Rover” mjetin e 18-vjeçarit dhe më pas e dhunuan barbarisht. Menjëherë pas ngjarjes këta shtetas u larguan, ndërkohë i riu u dërgua në spital ku dhe mori ndihmën e nevojshme mjekësore.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, në lidhje me një konflikt midis disa shtetasve, të ndodhur në lagjen nr. 17, Korçë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, në drejtimin e Prokurorisë, vijuan veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes.
Në vijim të veprimeve hetimore u ndaluan shtetasit:
M.J., 18 vjeç (i dëmtuari nga konflikti i djeshëm) dhe A. B., 40 vjeç, banues në Korçë.
Nga veprimet e thelluara hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, disa ditë më parë, dyshohet se kanë goditur fizikisht njërin nga shtetasit e shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e djeshme, konkretisht A. D., 27 vjeç, banues në Korçë dhe dyshohet se i kanë hequr lirinë një shtetasi tjetër, ku për arsye hetimore, nuk mund të jepen të dhëna të tjera.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasve S. S., 33 vjeç, S. S., 25 vjeç, Dh. D., 38 vjeç, A. D., 27 vjeç dhe M. B., 39 vjeç, banues në Korçë, të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.