
Viktima e atentatit të ndodhur pasditen e sotme në fshatin Novoselë të Vlorës, Kristian Marku, rezulton të jetë nipi i Martin Bardhit.
Martin Bardhi ka qenë një tjetër person më të shkuar kriminale, i ekzekutuar në Rrëshen më 26 shtator të vitit 2023 pak metra larg komisariatit teksa ishte duke pirë kafe në një lokal në pronësi të tij.
Në drejtim të Bardhit u derdh një breshëri plumbash ndërsa në vendngjarje mbetën të plagosur dhe 3 persona të tjerë që ishin të pranishëm në tavolinë me viktimën, Martin Bardhin.
59 vjeçari ka qenë i arrestuar në mars po të atij viti së bashku me djalin e tij Enrik Bardhi për konsumimin e veprës penale "Vrasje e mbetur në tentativë". Fillimisht babë e bir, janë konfliktuar fizikisht me Saimir Reçin, nipin e biznesmenit Kastriot Reçi i vrarë në shtator të 2020.
Më pas djali i 59 vjeçarit, Enrik Bardhi ka shkuar në shtëpi, ka marrë armën e krimit dhe ka qëlluar në drejtim të Saimir Reçit teksa ky i fundit po udhëtonte me automjetin e tij të blinduar.
Nga të shtënat Reçi ka humbur drejtimin e automjetit dhe është përplasur me bordurën anësore të rrugës.
Kristian Marku është qëlluar me breshëri plumbash pasditen e sotme rreth orës 18:15 në afërsi të fshatit Novoselë, në autostradën Fier-Vlorë, teksa po udhëtonte me makinën e tij të tipit "Volkswagen".
Sipas burimeve për media, autorët kanë qëlluar në drejtim të viktimës me breshëri kallashnikovi për 1 kilometër. Autorët kanë përdorur një automjet të tipit "Benz", makinë e cila është gjendur e djegur 1 kilometër larg vendit të krimit, ndërsa më pas vrasësit dyshohet të jenë ndihmuar nga të tjerë persona për tu arratisur.