
Një 57-vjeçar nga Tirana ka rënë në prangat e policisë pasi rezultoi se mashtronte dhe u merrte para bizneseve duke u shtirur si zyrtar.
Ky shtetas, R. M., 57 vjeç në bashkëpunim me një person të paidentifikuar, ka përfituar 3 milionë lekë nga administratori i një subjekti privat, duke komunikuar në emër të një institucioni vendor në aplikacionin “Signal”.
Hetimet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare nisën pas denoncimit të një qytetari i cili kishte rënë preh e mashtrimit nga ana e këtij shtetasi.
Njoftimi i policisë:
"Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas kallëzimit nga një shtetas, se i kishin kërkuar një shumë parash me anë të mashtrimit, nëpërmjet një aplikacioni, kanë nisur hetimet me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e këtij rasti dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Flop”, u arrestua në flagrancë shtetasi:
R. M., 57 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi R. M., në bashkëpunim me një shtetas tjetër të paidentifikuar, kanë përfituar 3 000 000 lekë nga administratori i një subjekti privat, pasi kanë komunikuar me të në aplikacionin “Signal”, në emër të përfaqësuesit të një institucioni vendor."