Hapësire reklamuese

Aktualitet

U përjashtua 15 vite nga sistemi i drejtësisë, KPA mblidhet sot për të "vulosur" fatin e Alfred Ballës

Shkruar nga Newsbomb
U përjashtua 15 vite nga sistemi i drejtësisë, KPA mblidhet sot
Alfred Balla, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet sot në orën 11:00 për të “vulosur” fatin e drejtuesit të këtij institucioni, Alfred Balla.

Kjo mbledhje vjen pak ditë pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit mori vendimin që ta largojë atë nga sistemi i drejtësisë për 15 vite. Të pranishëm do të jenë përfaqësues të lartë nga Ministria e Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela. Mbledhja është thirrur nga zv.kryetari i KLP-së, Tartar Bazaj.

Sakaq, Balla e ka etiketuar vendimin e KPA-së si “të turpshëm”, dhe pretendon se ky vendim nuk kishte lidhje me statusin e tij aktual në KLP.

“…Ky nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj meje. Në bazë të këtij vendimi, në të ardhmen nuk mund të kandidoj për vende të caktuara, kuptohet deri sa të shprehet GJEDNJ,” tha ai për BIRN. 

Vendimi për largimin nga sistemi i drejtësisë dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë.

Kujtojmë se Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për përfundimin e vettingut pa një vendim përfundimtar dhe pa sanksion ndaj kreut aktual të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla.

Ballhysa e cilësoi vendimarrjen e shumicës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese dhe kërkon ndryshimin, ku veç ndërprerjes së vettingut, kërkoi që ndaj Ballës të caktohet edhe sanksioni që i ndalon emërimin në disa pozicione në sistemin e drejtësisë për 15 vjet, përfshi dhe funksionin që ai mban aktualisht.

Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit për shkak të ushtrimit të detyrës si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri më 31 korrik të vitit 2017.

Kreu i KLP-së, Alfred Balla më herët tha se ankimi i komisionerit “e kishte habitur”, pasi sipas tij ishte ndjekur një praktikë tjetër për rastet analoge.

Balla tha se nuk ishte larguar me dorëheqje nga detyra si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë, por ishte liruar. Sipas tij, procedura e e vettingut si këshilltar duhej të ishte pushuar pa vendim përfundimtar para 5 viteve. I pyetur nga BIRN nëse kjo situatë ndikonte në ushtrimin e funksionit të tij si anëtar dhe kryetar i KLP-së, Balla tha se “s'ka lidhje”.

Kreu i KLP-së, Alfred Balla ishte sipas legjislacionit në fuqi subjekt i vettingut për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017 dhe duhej t'i nënshtrohej procesit të rivlerësimit.

Por, dy prej anëtareve në shumicë, kryesuesja Xhensila Pine dhe relatorja Alma Faskaj, vlerësuan se Balla nuk ishte më subjekt rivlerësimi dhe se procesi i tij duhej mbyllur pa vendim përfundimtar. Pine dhe Faskaj arsyetuan se Balla nuk kishte dhënë dorëheqjen dhe se statusin e kishte humbur për shkak se ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017.

Në pakicë, komisionerja Valbona Sanxhaktari paraqiti mendim paralel. Ajo vlerësoi të rëndësishëm statusin ligjor në të cilin është gjendur subjekti në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për vettingun e magjistratëve, si dhe vullneti apo qëndrimi i Ballës në raport me ecurinë e procesit të rivlerësimit. Sipas saj, Balla ose duhej t'i nënshtrohej procesit të rivlerësimit kalimtar, ose duhej t'i nënshtrohej dispozitave të nenit “G” të aneksit të kushtetutës që përcaktojnë ndërperjen e vettingut me sanksionim 15-vjeçar.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese