Policia e Elbasanit bën me dije se një 57-vjeçar, me ininciale E.B është proceduar penalisht pasi akuzohet për veprën penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas njoftimit të bluve bëhet me dije se 57-vjeçari me profesion laborant është proceduar në gjendje të lirë pasi merrte para nga një pacient.
Ka qenë emisioni investigativ “STOP” i cili ka publikuar një video ku ky shtetas shfaqej duke marrë para nga një pacient në mënyrë të parregullt.
Ndërsa, Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike mori nën akuzë P. A., 47 vjeç, pasi e ka kallëzuar një 42-vjeçare se ai e përndiqte në rrjetet sociale dhe madje në rrugë, duke i krijuar shqetësime emocionale dhe pasiguri.
Në Cërrik nisi procedimi për 32-vjeçarin A. U., të cilin e ka denoncuar punonjësi i një karburanti me inicialet V. S., 59 vjeç, se pasi ka furnizuar automjetin me karburant, e ka kryer pagesën me një kartmonedhë të dyshuar false, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.