Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara, dy gratë që u martuan me një ceremoni pompoze, jo ligjore në tarracën e bashkisë së Tiranës të premten e 17 majit 2024, nuk rreshtin tanimë me kërkesa ligjore.
Këtë herë bëhet fjalë për një proces të nisur prej tyre në gjykatën e Lartë kundër një shkrese, akt administrativ të 15 prillit 2021 që nuk i lejon ato të dyja të regjistrojnë dy vajzat e vogla, binjake, për të pasur dy nëna.
Vajzat H.M dhe A.M, binjake të seksit femër, kanë lindur në 18 janar 2021 në Tiranë. Ato janë vajzat e njërës prej dy grave që u martuan me ceremoni që shkaktoi jo pak zhurmë në kryeqytet.
Por tani, dy bashkëshortet femra, kërkojnë që vajzat të rregjistrohen në gjendjen civile në njësinë administrative numër 2 në Tiranë me dy nëna.
Në datën 6 qershor është regjistruar padia e tyre në gjykatë dhe relator i cështjes që do të shqyrtohet në korrik të këtij viti është gjyqtari Sokol Ngresi.
“Ndryshimin e aktit administrativ shkrese kthim pergjigje nr. 2627/1 prot, dt. 15.04.2021 dhe detyrimin e te paditurit per te regjistruar femijet H.M. dhe A.M., binjake te seksit femer, te lindura ne dt. 18.01.2021, ne Tirane dhe per te regjistruar si nena paditeset Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara me te drejta të barabarta amësie në të njëjtën përbërje” thuhet në kërkesë.
Dy gratë kërkojnë të regjistrohen si nëna, me të drejta të barabarta amësie në të njëjtën përbërje me dy vajzat që i konsiderojnë të tyret.
Ceremonia e martesës së zhvilluar në taracën e Bashkisë së Tiranës shkaktoi jo pak bujë dhe shumë tituj dhe vëmendje nga media ndërkombëtare. Sepse ishte ceremonia e parë e këtij lloji, pavarësisht se e panjohur nga ligji.
Nuk dihet cili do të jetë verdikti që do të japë gjykata e Lartë, por sërish, ato vendosen në qendër të vëmendjes me një kërkesë të tillë.