Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar për gjykim dosjen e 21-vjeçarit Dritson Kurti, i akuzuar për marrëdhënie seksuale me të mitur. Ai u arrestua pesë muaj më parë, pasi një 13-vjeçare solli në jetë fëmijën e tyre.
Sipas familjarëve, i riu dhe e mitura bashkëjetonin prej kohësh dhe martesa ishte bërë me pëlqimin e dy familjeve. Por lindja e foshnjës solli arrestimin e 21-vjeçarit në shtator të vitit të kaluar.
Të afërmit e Kurtit kërkojnë lirimin e tij, duke argumentuar se gjithçka ka ndodhur me marrëveshje dhe se ai nuk ka kryer asnjë krim. Gjyshja e të riut, Fidarie Kurti, është shprehur e revoltuar ndaj vendimit të Prokurorisë, duke theksuar se nipi i saj nuk ka bërë asgjë të gabuar.
"Djalin e kemi martuar me marrëveshje me prindërit e vajzës. Ajo ka ardhur nuse me pëlqimin e saj. Lindi një fëmijë dhe menjëherë e morën dhe e larguan. Çfarë ka bërë djali im? As ka vrarë, as ka therur. Kërkojmë drejtësi, sepse jemi të varfër dhe nuk kemi mundësi të mbrojmë veten."
Nga ana tjetër, e mitura, tashmë nënë e një foshnje pesë muajshe, ka kërkuar gjithashtu lirimin e të shoqit. Ajo thekson se ka shkuar me dëshirë në shtëpinë e tij dhe se nuk është marrë me dhunë.
"Prindërit më dhanë me dorën e tyre, nuk më ka marrë me zor. Dua që burri im të lirohet, sepse nuk kam asnjë mundësi tjetër për të mbajtur veten dhe fëmijën. Ai nuk ka mundur as ta shohë vajzën tonë që kur ka lindur," – shprehet ajo.
Gjykata e Korçës e ka lënë të riun në “arrest me burg”, ndërsa procesi pritet të vijojë me shqyrtimin e çështjes dhe vendimin përfundimtar mbi dënimin e tij.