
Autostrada e re Thumanë-Kashar u “bllokua” mëngjesin e kësaj të hëne nga fluksi i lartë i mjeteve. Radha e automjeteve, e cila i kalonte 10 kilometra, fillonte nga dalja e autostradës në afërsi të Rinasit e deri në afërsi të fshatit Larush.
Shkak i trafikut u bë pagesa, pasi dy sportelet e vendosura s’mund të përballonin fluksin e lartë të automjeteve. Për këtë arsye hoq përkohësisht pagesa.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ministria njofton se sistemi i pagesës për aksin rrugor Thumanë – Kashar do të nisë zyrtarisht në ditët në vazhdim, por publiku do të njoftohet paraprakisht për datën dhe orarin e fillimit të pagesës.
Pagesa për kalimin në këtë aks do të jetë 2.1 euro pa TVSH, ose ekuivalenca e saj në lekë sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, në datën e fillimit të operimit të sistemit të pagesës.
E plotë:
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se sistemi i pagesës për aksin rrugor Thumanë – Kashar do të nisë zyrtarisht në ditët në vazhdim, por publiku do të njoftohet paraprakisht për datën dhe orarin e fillimit të pagesës.
Deri në nisjen e këtij procesi, kompania do të kryejë në segmente të ndryshme kohore, testime të kufizuara të sistemit të pagesës, për të kolauduar sistemin dhe aftësinë përpunuese të stafit. Lidhur me orarin e këtyre testimeve publiku do të njoftohet 24 orë më përpara.
Pagesa për kalimin në këtë aks do të jetë 2.1 euro pa TVSH, ose ekuivalenca e saj në lekë sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, në datën e fillimit të operimit të sistemit të pagesës.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve gjatë fazës së kolaudimit, pasi ky aks rrugor u hap përpara afatit për t’i dhënë frymëmarrje qarkullimit dhe për të lehtësuar trafikun në akset e veriut si dhe për të ndihmuar qytetarët që qarkullojnë në këto akse.