
Avokati dhe pedagogu Sokol Mëngjesi është shtruar në intubim, për shkak të dhunës barbare të ushtuar sot ndaj tij. Intubimi i avokatit vjen pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të tij në orët e fundit. Ai po merr ndihmë nga aparaturat mjekësore për oksigjen.
Deri më tani është identifikuar një nga tre autorët që sulmuan. Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur autorët sulmojnë avokatin dhe nga pamjet është bërë i mundur identifikimi i një prej autorëve, si edhe mjeti të cilin kanë përdorur për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Pavarësisht se një autorët është identifikuar, policia nuk ka mundur ta arrestojë pasi nuk është gjetur në banesë.
Sakaq, po punohet për identifikimin edhe të dy autorëve të tjerë. Burime për media bëjnë me dije se edhe Mëngjesi i njeh autorët, pasi kamerat e sigurisë kanë kapur momentin, kur Mëngjesi ka biseduar me autorët të cilët më pas e kanë dhunuar me grushte dhe leva.
Avokati doli sot në mëngjes për të dërguar djalin në shkollë, por kur është kthyer tre autorët, të pamaskuar i kanë bërë pritë dhe e kanë dhunuar barbarisht. Mëngjesi është dhunuar barbarisht me grushta dhe leva.
“Sot, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin S. M., me profesion avokat.
I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njoftoi policia më herët.
Lidhur me ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e konsideruar si “vetëviktimizimin politik”.
Balla shkruan se “zotëria i penxheres së drejtësisë ka lëshuar zëdhënësat e gënjeshtrave të tij për të sulmuar kryeministrin si urdhëruesin e një sulmi kriminal ndaj njërit prej avokatëve të tij, zotit Sokol Mëngjesi,”.
Ministri sqaron se është Policia tanimë ka identifikuar njërin prej të tre autorëve dhe po punon për identifikimin e dy të tjerëve.
“Lexoj që zotëria i penxheres së drejtësisë ka lëshuar zëdhënësat e gënjeshtrave të tij për të sulmuar kryeministrin si urdhëruesin e një sulmi kriminal ndaj njërit prej avokatëve të tij, zotit Sokol Mëngjesi. Ngjarja e ndodhur në mëngjes është në ndjekje nga Policia e Shtetit, e cila tanimë ka identifikuar njërin prej të tre autorëve dhe po punon për identifikimin e dy të tjerëve.
Kam komunikuar edhe personalisht me kolegët e avokatit sapo kam marrë dijeni dhe i falenderoj për disponimin qytetar në funksion të sqarimit të ngjarjes. Kam komunikuar edhe me mjekun që po kujdeset për shëndetin e avokatit. Duke i uruar shërim të shpejtë zotit Sokol Mëngjesi, shpreh keqardhjen që nga kati i 8 hidhet edhe në këtë rast një kazan me helm për publikun, me qëllimi vetëviktimizimin politik të një të korruptuari madhor!,” shkruan Balla.
Më herët Partia Demokratike, grupi i Rithemelimit i drejtuar nga Sali Berisha, akuzon drejtpërdrejt Edi Ramën se ka urdhëruar banditët që mëngjesin e sotëm t'i bënin pritë avokatit të tij dhe ta dhunonin barbarisht me leva.
Përmes zëdhënëses Floriana Garo, grupi i Rithemelimit thotë se shkaku i dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi në mes të Tiranës është procesi gjyqësor i Sali Berishës.
"Sot ne mëngjes, tre bandite, te urdhëruar nga Edi Rama, kane sulmuar dhe goditur me leva në kokë në qendër të Tiranës, profesor Sokol Mëngjesin, avokati i mirënjohur i kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha", u shpreh Garo.
Policia e Tiranës ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, duke pyetur dëshmitarët në zonën e ish-Bllokut, si dhe duke administruar kamerat e sigurisë ku tre autorët shfaqen të pamaskuar e me mjete të forta në duar.
"Ky është një akt kriminal dhe hakmarrje e verbër, primitive e Edi Ramës ndaj profesor Sokol Mëngjesit, sepse ai së bashku me kolegët e tij, faktuan para shqiptarëve me prova dhe dokumente zyrtare të pakundërshtueshme, se procesi gjyqësor kundër kryetarit të Partisë Demokratike është një proces kryekëput politik i bazuar ne një piramidë mashtrimi, siç është çështja e Klubit Sportiv Partizani", thuhet në deklaratë.