
Gjirokastra është tronditur nga vdekja e të riut 21-vjeçar, i gjendur pa shenja jete në ambientet e konviktit të shkollës private “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër.
Burime për media kanë bërë me dije se 21-vjeçari i identifikuar si Simon Sholla, me origjinë nga Myzeqeja, ishte jetim dhe studionte në Fakultetin e Teologjisë në Akademinë “Logos” në Durrës. I riu ishte rritur në Qendrën e Kujdesit në Shën Vlash, Durrës, ndërsa sipas raportimve të policisë, Simon Sholla vuante nga depresioni.
Ai kishte ardhur në Gjirokstër për një vizitë në vendin ku kishte kryer studimet e shkollës së mesme dhe për të takuar shokët e tij.
Në reagimin e Policisë së Gjirokastrës thuhet se Simon Sholla është gjendur i pajetë në ambientet e tualetit të konviktit në lagjen “11 Janari”. Nga hetimet paraprake dyshohet se i riu ka humbur jetën si pasojë e mbidozës së ilaçeve që 21-vjeçari konsumonte për shkak të depresionit.
“Më datë 16.01.2025, rreth orës 09:55, në tualetet e konviktit të një shkolle private, në lagjen “11 Janari”, është gjetur pa shenja jete dhe pa shenja dhune, shtetasi S. Sh., 21 vjeç, banues në Durrës. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e mbidozës së ilaçeve që 21 vjeçari merrte për shkak të depresionit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të humbjes së jetës,” thuhet në njoftimin e policisë.