I menjëhershëm ka qenë reagimi i Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza Tiranë, lidhur me akuzat e bëra këtë të hënë nga deputetja demokrate, Albana Vokshi, e cila tha se mëngjesin e së premtes ky spital ka qëndruar pa drita për rreth dy orë dhe si pasojë kanë humbur jetën 4 persona të cilët ndodheshin në intubim.
Përmes një reagimi zyrtar, QSUT, hedh poshtë deklaratën e deputetes Vokshi duke sqaruar opinionin publik se nuk ka asnjë të vërtete, sikurse është raportuar ditën e sotme për humbje jetë të pacientëve dhe se shërbimi i tyre nuk është cënuar në asnjë moment.
Në reagimin e spitalit thuhet se në datën 5 prill, rreth orës 01:30 të mëngjesit, ka pasur luhatje të energjisë elektrike, mirëpo reagimi i teknikëve ka qenë i menjëhershëm dhe i kanë dhënë zgjidhje problematikës duke bërë të mundur rikthimin e furnizimit me energji elektrike dhe normalizimin e situatës.
“QSUNT shpreh keqardhje për deklaratat e pavërteta në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, të cilat afektojnë drejtpërdrejtë pacientët dhe shëndetin e tyre.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sa i takon deklaratave të bëra nga anëtarët e komisionit për ndërprerje të energjisë elektrike në një prej godinave të këtij spitali sqaron si më poshtë vijon:
Në datë 5 Prill, në orën 1:30 të mëngjesit, punonjësit teknikë të shërbimit 24 orësh kanë konstatuar luhatje të energjisë elektrike pranë Shërbimit të Reanimacionit Qendror. I menjëhershëm ka qenë reagimi i teknikëve shtesë të gatishmërisë të QSUT-së të cilët në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i kanë dhënë zgjidhje kësaj problematike duke bërë të mundur rikthimin e furnizimit me energji elektrike dhe normalizimin e situatës.
QSUNT sqaron opinionin publik se nuk ka asnjë të vërtetë sikurse është raportuar ditën e sotme për humbje jete të pacientëve dhe se shërbimi ndaj tyre nuk është cenuar në asnjë moment”, thuhet në reagimin e Qendrës spitalore Universitare Nënë Tereza.
Kujtojmë, se këtë të hënë, deputetja demokrate Albana Vokshi gjatë mbledhjes së Komisonit për Çështjet Sociale dhe Shëndetësisë, tha se ka marrë një mesazh nga një punonjës i QSUT ku dhe i thoshte se mëngjesin e së premtes në QSUT kishin ikur dritat për dy orë dhe si pasojë kishin humbur jetën 4 pacientë të cilët ndodheshin në intubim.
“Më është dërguar një informacion për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në QSUT jo më larg se ditën e premte në të gdhirë. Sipas këtij informacioni, dhe është informacion i brendshëm një punonjës që punon në QSUT, duke u gdhirë e premtja në QSUT kanë ikur dritat për 2 orë. Sipas këtij punonjësi ka pasur 4 pacientë që kanë humbur jetën pasi kanë qenë të intubuar. Për më shumë se 2 orë kanë ikur dritat dhe nuk kanë funksionuar mënyrat e tjera. Nëse ky informacion është i vërtetë do të ishte një skandal shumë i madh, do të ishte jo vetëm e dhimbshme. Një spital si QSUT a mund të rrijë pa drita. A është e vërtetë që të premten në mëngjes duke u gdhirë kanë ikur dritat. Pse s’ka punuar gjeneratori. Ku janë dërguar pacientët”, tha Vokshi më herët.