
Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me ekzekutimin e 30-vjeçarit Kristian Marku, i njohur gjithashtu si Kristian Bardhi. Ky i fundit u qëllua me 3 plumba teksa shkonte drejt Vlorës.
Mësohet se 30 vjeçari ishte baba i një djali, i cili do të mbushte 1 vjeç brenda pak ditësh. Sakaq, në vendngjarje, policia ka sekuestuar fishekë kalibër 9 mm, ndërsa automjeti i përdorur nga autorët rezulton i vjedhur dhe me numër shasie të fshirë.
Sipas burimeve për mediat, targat e makinës së atentatorëve janë marrë vetëm disa ditë para ngjarjes nga automjeti privat i një punonjësi policie në Vlorë. Për këtë arsye, hetimet janë përqendruar në identifikimin e personave përgjegjës për vjedhjen e targave dhe makinës. Autoritetet dyshojnë se autorët kanë përdorur dy automjete, ku njëra shërbeu për kryerjen e krimit dhe tjetra për largimin nga vendi i ngjarjes. Në total, tre persona dyshohet të kenë marrë pjesë në atentat.
Hetuesit mbeten të paqartë për motivet e udhëtimit të Markut drejt Vlorës, pasi viktima nuk kishte lidhje të njohura me këtë qytet dhe as familjarë që mund të vizitonte atje. Një nga pistat kryesore të hetimit është se ai mund të jetë nxjerrë në pritë. Kamerat e sigurisë përgjatë itinerarit të tij po shqyrtohen me kujdes për të kuptuar nëse ai është ndjekur nga autorët.
Kristian Marku nuk kishte precedent penal aktiv dhe kishte një jetë të qetë pas shpalljes së pafajësisë për një çështje të mëparshme në shtator 2023. Ai nuk lëvizte me makinë të blinduar dhe nuk ruhej nga persona të armatosur. Pas vrasjes, në mjetin e tij nuk u gjetën sende të paligjshme apo armë.