
Personi që shikoni në foto është 48-vjeçari Lulzim Visha, i ekzekutuar ditën e djeshme me breshëri plumbash teksa ishte në automjetin e tij në fshatin Zall Mner të Kamzës.
Lulzim Visha është vrarë mëngjesin e ditës së djeshme 200 metra larg banesës së tij, teksa ishte nisur për të shkuar për në punë. Autorët e vrasjes kanë qenë në djeni për çdo lëvizje të viktimës.
Sipas hetimeve paraprake, Lulzim Visha dhe vëllai i tij, Besnik Visha kishin konflikte të hapura me një famije në zonë për prona. Kjo është dhe pista kryesore ku policia po heton të gjithë ngjarjen.
Ditën e sotme policia ka arritur të identifikojë dy persona si të dyshuarit kryesorë për vrasjen e 48-vjeçarit. Blutë kanë bastisur shtëpinë e Ervis Lamit, familja me të cilin Visha kishte konfliktet. Nga kontrolli i banesës, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë me silenciator, që mendohet të jetë përdorur për ekzekutimin e 48-vjeçarit si dhe është arrestuar djali i xhaxhait të Ervis Lamit, Eduart Lami, si person në djeni për krimin. Ervis Lami është shpallur në kërkim dhe po punohet për arrestimin e tij.
Drejt viktimës është qëlluar më armë silenciator, fakt ky i mbështetur dhe mbi dëshmitë e banorëve të zonës, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar asnjë të shtënë.
Atentatorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet të zi të llojit “Porsche”, makinë e cila u gjet e djegur disa orë më pas në Zall-Herr.