
Ish-kryetarja e Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balilaj, është "arratisur" drejt plazheve të Meksikës, pasi u dënua nga GJKKO me 2 vite burg për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.
Megjithatë, dënimi i ish-kryebashkiakes është konvertuar në 2 vjet e 8 muaj në shërbim prove.
Organi i akuzës në përfundim të hetimeve ka konstatuar se Balilaj dhe varësit të saj; Anisa Petani, ish-nënkryetare, Shkëlqim Beqiraj, ish-sekretar i përgjithshëm, Enirjada Rizaj, ish-anëtare e komisionit të ofertave, Vangjel Nushi, ish-drejtor i Punëve Publike në Patos dhe Arben Manoku, inxhinier, kanë falsifikuar dokumentet dhe në bashkëpunim kanë shkelur barazinë për dy tendera që konsistonin në ngritjen e mureve në rrugën Dukas-Breg dhe në rrugën e fshatit Ruzhdie.
Ndërkohë, vetëm pak ditë pasi është njohur me vendimin e gjykatës, Balilaj ka publikuar disa foto në rrjetet sociale, ku shihet e buzëqeshur nën shoqërinë e disa personave të tjerë.
Ish-kryebashkiakja e Patosit, duket sikur përshëndet nga plazhet e Meksikës jo vetëm prokurorët dhe gjykatësit e drejtësisë së re, por edhe qytetarët që e zgjodhën për të menaxhuar taksat e tyre.
