Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar vështirësi në disa zona malore, duke bllokuar një grup turistësh vendas në Labinot Mal, mes të cilëve ndodheshin edhe katër fëmijë të mitur.
Incidenti ndodhi në rrugën rurale Elbasan–Labinot Mal, në fshatin Gur i Zi, ku automjetet e turistëve mbetën të bllokuara për shkak të trashësisë së dëborës dhe kushteve të vështira të rrugës. Në orën 23:00 ata telefonuan Emergjencën Civile pranë Prefekturës Elbasan për ndihmë, duke raportuar vështirësi serioze.
Menjëherë pas njoftimit, autoritetet nisën një fadromë për të hapur rrugën dhe për të shpëtuar personat e bllokuar. Pas disa orësh pune intensive, në orën 01:20 është bërë e mundur hapja e rrugës dhe shpëtimi i grupit.
Fatmirësisht, të gjithë personat janë jashtë rrezikut dhe nuk raportohen lëndime.