Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë sot ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 8 vite burg Agron Qafën dhe me 3.4 vite burg Florenc Çekrezin të përfshirë në grup të strukturuar kriminal.
Agron Qafa dhe Florenc Çekrezi u kapën falë operacionit “Plumbi i Artë” që u ndërmor nga SPAK pas dëshmive të të penduarve të drejtësisë Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhës.
Agron Qafa akuzohet për vjedhje me dhunë dhe grup të strukturuar kriminal, ndërsa Florenc Çekrezi akuzohet për shkatërrim të pronës me eksploziv dhe armëmbajtje.
Njoftimi i plotë:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça (kryesuese), Saida Dollani (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare), sot më datë 20.01.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen penale të regjistruar me nr. 7/65 akti, datë 26.11.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesve/të pandehurve Agron Qafa, Florenc Çekrezi, kundër vendimit nr. 46, datë 19.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 46, datë 19.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Shpenzimet gjyqësore në apel, i ngarkohen të pandehurve ankues Agron Qafa dhe Florenc Çekrezi.