
Elvis Gaçaj, i njohur për përfshirjen e tij në aktivitete kriminale dhe si pjesëtar i klanit "Duka", është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri. Ai është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi ka qenë i dënuar më herët për armëmbajtje pa leje, trafik lëndësh narkotike dhe vjedhje me dhunë.
Gaçaj ka një histori të gjatë përplasjesh me ligjin. Në 1 tetor 2015, ai i shpëtoi një masakre ku humbën jetën dy persona që ndodheshin në të njëjtën makinë me të. Në vitin 2019, ai u arrestua në Durrës si i dyshuar për përfshirjen në vrasjen e Santiago Malkos, një ngjarje që pati jehonë të madhe në opinionin publik.
Në prill të vitit 2018, Gaçaj u kap në një operacion policor pranë shkollës “Partizani” në Tiranë, së bashku me Leonard Dukën. Gjatë kontrollit në banesë, u gjetën një armë zjarri dhe sasi lënde narkotike. Asokohe, Gjykata vendosi masën “arrest shtëpie” për të dy të pandehurit.
Arrestimi i fundit i Gaçajt përforcon profilin e tij si një prej figurave problematike të botës së krimit në Shqipëri, ndërsa hetimet për të dhe aktivitetet e tij të kaluara vijojnë të jenë objekt shqyrtimi nga autoritetet.