Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

U arrestua në Greqi nga dosja “Sky ECC” , 32-vjeçari Andon Salati ishte kapur në Kakavijë me 146 mijë euro cash

Shkruar nga Newsbomb
U arrestua në Greqi nga dosja “Sky ECC” , 32-vjeçari
Andon Salati

Në kuadër të një operacioni të zhvilluar në Greqi, bazuar në komunikimet përmes platformave të enkriptuara, autoritetet kanë arrestuar Andon Salatin, 32 vjeç, me origjinë nga Vlora dhe banues në Athinë. Ai konsiderohet një nga drejtuesit kryesorë të një grupi kriminal, duke bashkëpunuar me Denis Grabockën. Salati përdorte platformat “Sky ECC” dhe “Encrochat” për aktivitetet e tij kriminale.

Grupi i tij dyshohet për përfshirje në trafikun e marijuanës dhe kokainës nga Shqipëria dhe Spanja drejt Greqisë. Në shkurt të vitit 2016, Salati ishte ndaluar në pikën kufitare të Kakavijës me 148 mijë euro të padeklaruara, por çështja përfundoi me ndjekje në gjendje të lirë. Ndërkohë, mes viteve 2018-2020, ai ishte i burgosur në Koridhalo, i akuzuar si drejtues i një grupi që shpërndante drogë në Athinë dhe Mykonos. Pavarësisht burgosjes, Salati dyshohet se vijonte aktivitetin kriminal përmes komunikimeve të koduara.

Mesazhet e zbuluara nga komunikimet e tij me bashkëpunëtorë të tjerë tregojnë për një jetë komode brenda burgut, me akses në celularë, televizorë inteligjentë dhe internet. Ai madje përmend marrëdhëniet e mira me disa punonjës të burgut, duke përfshirë gardianët, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në futjen e mjeteve të ndaluara.

Bizneset e fshehta në Greqi

Andon Salati dhe bashkëpunëtori i tij Denis Grabocka zotërojnë fshehurazi kompani në Greqi. Njëra prej tyre, “CARENT”, një firmë që jep makina me qira në Athinë, rezulton të jetë në pronësi formale të familjarëve të tyre. Kompania ka rreth 50 automjete dhe 18 motorë, disa prej të cilave janë përdorur për aktivitete kriminale ose janë sekuestruar nga autoritetet. Në disa raste, automjetet janë marrë me dokumente të falsifikuara për të shmangur identifikimin nga policia dhe konfiskimin e mundshëm.

Një tjetër kompani, “I GO RENTAL”, e krijuar në Mykonos në vitin 2017, ka lidhje me aktivitetet e dyshuara të grupit. Po ashtu, Salati ishte edhe pronar i padukshëm i një restoranti të quajtur “O GYROS TOU ASYRMATOU” në Athinë, që ligjërisht figuron në pronësi të një shoqërie të regjistruar në emrin e familjarëve të tij.

Hetimet për aktivitetet e grupit dhe pasuritë e tyre të dyshimta po vazhdojnë, ndërsa autoritetet greke po përpiqen të zbardhin plotësisht rrjetin dhe veprimtarinë kriminale të organizatës.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese