Një zjarr që ka rënë në fushën e mbetjeve pranë inceneratorit të Elbasanit ka bërë që gjithë zona përreth të zgjohet këtë mëngjes e mbuluar nga shtëllungat e tymit dhe era e keqe. Forcat Zjarrfikëse po luftojnë prej orëve të mëngjesit me flakët, por vatra ende nuk është shuar.
Në vendngjarje është dhe Policia e Elbasanit, e cila po heton për shkaqet e kësaj ngjarje, nëse kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme apo ndonjë indikacion nga mbetjet që depozitohen në landfill.
Megjithatë, temperaturat e ulta në këtë periudhë të vitit dhe për më tepër në orët e para të mëngjesit, e rrëzon pistën e një zjarri të vetëndezur nga materialet që depozitohen aty.
Kjo nuk është hera e parë që në këtë zonë bie zjarr, por hera e treta në dy vitet e fundit. Dyshimet mbi shkaqet dhe qëllimet e këtij zjarri në një landfill të tejmbushur me mbetje janë të shumta, por ato pritet t'i provojnë autoritetet, pavarësisht çdo dyshimi.
Shtëllungat e tymit të dendur dhe era e keqe që ka përfshirë zonën kanë bërë që lagjet periferike të qytetit të Elbasanit të përballen me një rrezik të madh për shëndetin.
Në ndihmë të shërbimeve zjarrfikëse të Elbasanit kanë shkuar dhe repartet e bashkive fqinje, për të mos lejuar përhapjen e flakëve të favorizuara nga era, si dhe për të izoluar vatrën kryesore në mënyrë që ajo të mos rrezikojë dhe zonën pranë me bimësi.