Mediatizimi i një rasti kafshimi nga qeni në Lungomaren e Vlorës ka bërë që qentë endacakë në qytetin bregdetar të helmohen. Ishte një turiste italiane që u kafshua nga qeni teksa shijonte ecjen në Lungomare, ndërsa pamjet u bënë shpejt virale.
Mesa duket, pas këtij rasti në Vlorë kanë nisur t'i helmojnë katërputroshët, të cilët janë gjetur nga qytetarët dje dhe sot të ngordhur pranë kazanëve të mbeturinave, buzë rrugëve.
Gazetari vlonjat Edi Ruçi jep alarmin për këtë rast dhe thotë se në zona të caktuar atë Vlorës janë hedhur qëllimisht ushqime të helmuara për të vrarë qentë endacakë. Megjithatë, nuk dihet nëse ky veprim është ndërmarrë nga banorët apo nga institucionet vendore.
"Fill pas publikimit të lajmit për kafshimin nga qentë endacak të turistes italiane mëngjesin e së dielës, në Vlorë mesa duket ka nisur helmimi i këtyre kafshëve. Dyshohet se në shumë zona të qytetit janë hedhur produkte ushqimore të helmuara për t'i vrarë këto kafshë.
Dyshimet janë se helmet mund të jenë hedhur nga individ të caktuar por nuk përjashtohet as fakti që qentë të jenë helmuar me urdhër të institucioneve lokale. Disa kafshë të helmuara në shumë zona te qytetit jo vetëm të rrugës por edhe kafshë shtëpiake të raportuara 24 orët e fundit", shkruan Edi Ruçi.