Një ngjarje e tmerrshme është regjistruar sërish në qytetin e Shkodrës. Burime për mediat bëjnë me dije se një tjetër grua ka ndërmarrë aktin e vetëflijimit duke u hedhur nga Ura e Bunës.
Fatkeqësisht gruaja, identiteti i të cilës ende nuk është bërë me dije për mediat ka humbur jetën.
Trupi i saj është gjetur rreth një orë më parë nga Policia dhe është transportuar në morg. Ende nuk dihen shkaqet por dyshohet se gruaja ka qene në gjendje të rënduar psikologjike. Ndërkohë nga kqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë priten më tepër detaje në vijim.
Kujtojmë se më datën 2 maj 2023, Alma Arrazi mori tre fëmijët, Arditin 3 vjeç, Gresin 7 vjeçe dhe Ergesën 9 vjeçe dhe u vetëmbytën në lumë. Gruaja në gjendje të rënduar psikologjike u hodh së bashku me fëmijët nga Ura e Bunës. Ngjarja tragjike u zbulua kur rastësisht një nga peshkatarët gjeti trupin e vajzës së madhe, ndërsa tre trupat e tjerë u gjetën pas ditësh kërkime nga polumbarët.
Trupat e fëmijëve dhe nënës u gjetën nga data 4 maj deri më 7 maj, gjatë kërkimeve në rrjedhën e lumit Buna. Me kërkesë të familjarëve, Alma u varros në Durrës pranë nënës së saj, ndërsa fëmijët prehen në Shkodër. Lidhur me këtë ngjarje tragjike në qeli ndodhet bashkëshorti i Alma Arrazit, Ergdys Arrazi i cili akuzohet se ka shtyrë gruan drejt vetëvrasjes.