
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në kryeqytet ku një 20-vjeçar është marrë peng nga 3 shtetas dhe është dhunuar barbarisht.
Ngjarja ka ndodhur në mes të Tiranës në sheshin “Skënderbej” ku dy persona Denis Baxhaku 36 vjeç dhe Ermand Hoxha 31 vjeç kanë rrëmbyer një 20-vjeçar ndaj të cilit kanë ushtruar dhunë të vazhdueshme. Pas kallëzimit, policia ka arrestuar tre persona, një nga të cilët ishte shtetasi Teo Kolemico 28 vjeç i cili kishte dijeni për ngjarjen dhe nuk e kallëzoi.
Nuk dihen ende motivet dhe arsyet e rrëmbimit të 20-vjeçarit në mes të Tiranës, ndërsa pritet të zbardhen detaje të reja në orët në vazhdim.
Njoftimi i policisë:
I hoqën lirinë një shtetasi dhe ushtruan dhunë ndaj tij, arrestohen 2 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre. Gjithashtu, u arrestua 1 shtetas tjetër që ka patur dijeni për ngjarjen, por nuk e ka kallëzuar në Polici.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas kallëzimit të marrë ditën e sotme nga një 20-vjeçar, se 3 shtetas i kishin hequr lirinë dhe kishin ushtruar dhunë ndaj tij, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tyre.
Si rezultat:
- u arrestuan shtetasit D. B., 36 vjeç, dhe E. H., 31 vjeç, dhe u shpall në kërkim shtetasi H. P., 19 vjeç, për veprën penale "Heqja e paligjshme e lirisë";
- u arrestua shtetasi T. K., 28 vjeç, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".
Shtetasit D. B., E. H. dhe H. P., dyshohet se për motive të dobëta, kanë marrë me forcë në sheshin "Skënderbej", një 20-vjeçar, ndaj të cilit kanë ushtruar dhunë në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa shtetasi T. K. ka patur dijeni për ngjarjen, por nuk e ka kallëzuar atë në Polici.
Materialet i kaluan Prokurorisë.