
Autoritetet italiane kanë goditur kartelin e fuqishëm shqiptaro-italian, operacion madhor që ka çuar në arrestimin e 15 personave.
Kjo organizatë kriminale kishte shtrirë aktivitetin e tyre, kryesisht të përqëndruar në trafikimin e lëndëve narkotike, nga Amerika e jugut, drejt Ballkanit dhe më pas Italisë.
Hetimet e zhvilluara nga autoritetet italiane kanë zbuluar se ky kartel ka importuar dhe shpërndarë sasi të mëdha droge, përfshirë 23 kg kokainë, 6 kg heroinë, 80 kg hashash dhe 240 kg marihuanë, të ardhura nga Shqipëria, Kosova, Ekuadori, Kolumbia dhe Holanda.
Karteli shqiptaro-italian ishte vendosur me bazë në Emilia Romagna, ndërsa kishte të shpërndrë pika të tjera dhe në rajone të tjera të Italisë, kryesisht në Kalabri, Lazio e Veneto, duke mirëorganizuar kështu një rrjet të gjerë për shpërndarjen e drogës në kufijtë ndërkombëtarë.
Nga këto hetime disa vjeçare ka rezultuar se vlera totale e drogës e importuar nga Italia që nga viti 2020, arrin rreth 8 milionë euro, gjithashtu, është konfirmuar futja nga Spanja në territorin kombëtar të kartëmonedhave të falsifikuara prej 75,000,00 €, 500,00 €.
Gjithashtu ky grup është “zbërthyer” dhe nga përgjimet e çkoduara nga aplikacioni famëkeq Sky-Ecc. Deri më tani nga 15 të arrestuarit, 12 prej tyre janë lënë në “arrest me burg” ndërsa për 3 të tjerë është vendosur masa “arrest shtëpie”.