Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëdë që ndodhi sot në një minierë të Martaneshit ku humbi jetën minatori Armond Peshku dhe u plagos miku i tij Hajdar Balla.
Në një reagim në rrjete sociale KSSH shkruan se minierat në vendin tonë janë kthyer në galeri vdekjesh dhe se shteti amniston shkelësit. KSSH bën thirrje më tej që policia të zbardhë ngjarjen, ndërsa kërkon nga Inspektoriati I Punës të rris intensitetin e kontrolleve në galeritë dhe minierat.
Reagimi:
Minierat si galeri vdekjesh dhe shteti që amniston shkelësit! Një tjetër tragjedi u shënua sot në Minierën e Thekës në Martanesh, ku një minator vagonist humbi jetën dhe kolegu i tij mbeti i plagosur rëndë.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i shpreh ngushëllime familjes së Armand Peshkut që humbi jetën dhe i uron shërim të shpejtë të plagosurit Hajdar Bala. Nga informacionet paraprake shkak i këtij aksidenti në pune mendohet të jetë mosmarrja e kushteve të sigurisë teknike, çka ngarkon me përgjegjësi përfaqësuesit e firmës.
KSSH i kërkon Policisë Shtetit dhe Prokurorisë të zbardhin rrethanat e kësaj ngjarje të rëndë. KSSH i kërkon Inspektoriatit të Punës të rrisë intensitetin e kontrolleve në galeritë e minierave.
Ngjarja tragjike ka ndodhur mesditën e sotme ku një minator humbi jetën teksa ishte duke punuar. Dëshmi nga vendngjarja tregojnë se dy minatorët me detyrë vagonist ishin në frontin e punës në momentin që një masiv gurësh është shembur dhe i ka zënë poshtë. Për pasojë 29-vjeçari Armand Peshku humbi jetën në vend, ndërsa minatori tjetër, 40 vjeçari Hajdar Bala mbeti i plagosur rëndë. 40-vjeçari u dërgua u transportuar me helikopter për në spitalin e Traumës në Tiranë.