Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e kësaj të shtune në ishullin e Kretës në Greqi, ku një i mitur shqiptar ka humbur jetën.
Sipas mediave vendase mësohet se vogëlushi 7 vjeçar, Nikola, ka ndërruar jetë teksa po notonte në plazhin e zonës.
I mituri shqiptar ndodhej me nënën e tij, ndërsa shtëpia e tyre ndodhej vetëm pak metra larg plazhit. I mituri kërkoi që të notonte në det, mirëpo nëna e tij nuk e lejoi për shkak të motit të keq.
Por, pak minuta më vonë Nikolai i vogël i shpëtoi syve të nënës së tij dhe shkoi të lahet. Fatkeqësisht i mituri u mbyt si pasojë e detit të trazuar.
Ka qenë një banor i zonës që pa vogëlushin në det që qëndronte përmbys pa ndjenja dhe menjëherë ngriti alarmin. Në vendin e ngjarjes menjëherë shkuan mjekët, mirëpo fatkeqësisht nuk arritën ta kthejnë në jetë përmes defibrillatorit.