Një shqiptar i përfshirë në trafikimin e emigrantëve me kamion në Angli ka publikuar foto duke luajtur golf në Londër, pavarësisht se është dënuar në mungesë me 7 vite burg në Belgjikë.
Sipas gazetës britanike The Sun on Sunday, Kujdesi Dauti është arrestuar në Londër në vitin 2018 bazuar në një urdhër nga autoritetet belge. Megjithatë, përmes proceseve gjyqësore dhe apelimeve të vazhdueshme, ai ka arritur të shmangë ekstradimin për shtatë vite me radhë.
Gjatë periudhës që ishte i lirë me kusht, Dauti është përfshirë në një tjetër krim dhe në vitin 2023 ka pranuar fajësinë për një grabitje makine. Tashmë, ai është në pritje të dënimit për këtë vepër.
Bashkë me të, në Angli janë arrestuar edhe dy shqiptarë të tjerë të lidhur me këtë rrjet kriminal, Alket Dauti dhe Sabah Zeka. Alket Dauti, i lindur në Kukës, konsiderohej si drejtuesi i grupit që organizonte trafikimin e shqiptarëve drejt Britanisë. Ai u ekstradua në Belgjikë në vitin 2019 dhe po vuan një dënim prej 12 vitesh burg. Ndërkohë, Sabah Zeka u arrestua në Londër në 2018, por ende nuk është dërguar për të vuajtur dënimin në Belgjikë.
Sipas The Sun, trafikantët kërkonin 8.000 stërlina për një person të fshehur në rimorkio dhe 13.000 stërlina për ata që transportoheshin në kabinën e shoferit.
Kur gazetarët britanikë kontaktuan Kujdesi Dautin, ai u përpoq të ndalonte publikimin e lajmit, duke reaguar me përçmim ndaj interesit të publikut. Ndërkohë, prokuroria belge e ka quajtur këtë situatë “të papranueshme”, duke kritikuar sistemin britanik të drejtësisë për vonesat në ekstradimin e të dënuarve.