
Në orën 10:00 pritet që të fillojë seanca plenare, ndërkohë paralelisht me të jashtë ambienteve të Kuvendit do të zhvillohet protesta e lajmëruar më herët nga opozita.
Deputetët socialistë kanë zgjedhur që ndryshe nga herët e tjera këtë të enjte të shkojnë më herët në Kuvend, me qëllim për të shmangur përballjen me qytetarët që do të protestojnë.
Ndërkohë, vlen të theksohet se Policia e Shtetit ka ndërmarrë një sërë masash me qëllim mbarvajtjen e protestës. Pas godinës së Kuvendit janë vendosur dy autobotë me ujë, në rast se protesta mund të përshkallëzojë.

Po ashtu, përveç numrit të lartë të efektivëve në terren ndodhet edhe Drejtori i Policisë së Tiranës. Tonin Vocaj, me qëllim për të monitoruar nga afër situatën.
Blutë e kryeqytetit më herët u bënë thirrje qytetarëve që do të marrin pjesë në protestë si dhe organizatorëve që të distancohen nga çdo akt dhune, pasi nuk do të tolerohen sjellje apo veprime që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Kujtojmë që protesta e opozitës është thirrur nga opozita pas publikimit të reportazhit investigativ, ku Rai3 e cilësonte Shqipërinë si “narkoshtet”.