Ish-juristi i Kadastrës së Durrësit, Bledi Zerba, ndodhet në arrati. Policia nuk ka arritur të ekzekutojë një nga tre vendimet e Gjykatës për arrestimin e tre personave të përfshirë në një tjetërsim prone prej 500 m2 në Gjirin e Lalzit.
Burime për mediat bëjnë me dije se ish-jursiti Bledi Zerba ka mundur të largohet ditën e djeshme, teksa aksioni policor ishte duke u zhvilluar.
Hetimet nga Prokuroria e Durrësit nisën pas kallëzimit të dërguar nga ana e Njësisë Speciale Antikorrupsion dhe Antievazion pranë Kryeministrisë, për tjetërsimin e një prone në Gjirin e Lalzit.
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata ditën e djeshme lëshoi dy masa sigurie “arrest në burg” dhe një “arrest në shtëpi”. Konkretisht, masa “arrest në burg” u dha për ish-punonjësin e Kadastrës së Durrësit, Bledi Zerba dhe për përfituesin nga tjetërsimi i pronës, Ndue Mesiti. Ndërsa, masa “arrest shtëpie” u dha për juristen e Kadastrës, Jonida Mergeja.
Gjithçka nisi pas një aksioni të IKMT kohë më parë. IKMT shkoi për të prishur një ndërtim të paligjshëm në Gjirin e Lalzit. Për të evituar shembjen e objektit Ndue Mesiti kishte kontaktuar me Albana Hotin (notere). Mesiti, nëpërmjet noteres Albana Hoti aplikuan për leje legalizimi në Kadastrën e Durrësit. Pas kësaj ata kontaktuan me juristen Jonida Margjeka që t’i ndihmonte me legalizimin.
Kjo e fundit gjeti një leje legalizimi bosh nga të njohurit e saj dhe e plotësoi me të dhënat e objektit në fjalë në favor të shtetasit Mdue Mesiti. Mirëpo sërish kishte pengesa, pasi leja duhej të ishte e vulosur dhe firmosur nga disa drejtues të Kadastrës se Durrësit gjë që ka çuar Margjekën që vulosë nëpërmjet "photoshop" këtë dokument, duke falsifikuar kështu vulën dhe firmat e eproreve të saj.
“Referuar materialit kallëzues se në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, janë regjistruar materialet e para hetimore të dërguara nga ana e Njësisë Speciale Antikorrupsion dhe Antievazion pranë Kryeministrisë, e cila ka ushtruar kontroll pranë ASHK Durrës në lidhje me Lejen e Legalizimit nr.263235, date 18.04.2017 të z.Ndue dhe Ardjan Zef Mesiti, me zonë kadastrale 1522, “Godinë Social Ekonomike 1 Kat”, sipërfaqe e parcelës ndërtimore 500 m², sipërfaqe e ndërtimit 274 m² në Durrës. Nga verifikimi i dokumentacionit të administruar pranë ASHK Durrës, kanë lindur dyshime të arsyeshme për një sërë shkeljesh me natyrë penale dhe administrative, ku duket se janë përfshirë punonjës të ASHK dhe persona të tjerë, duke siguruar përfitime në kundërshtim me ligjin. Në vijim përshkrimi i rastit dhe shkeljet e dyshuara.
Me datë 25.06.2021 në ASHK Qëndrore, ka mbërritur shkresa nga IKMT për prishje objekti në zonën kadastrale 1522 në Gjirin e Lalzit. Ky objekt rezulton në pronësi të z.Ndue dhe Ardjan Zef Mesiti, përfituar nga një procedurë legalizimi në vitin 2017 dhe në 10.10.2017 pajiset me Certifikatë Pronësie nga ZVRPP Durrës. Ndërkohë, në datë 29.06.2021, z.Ndue Zef Mesiti ka kryer aplikim për rifreskim të kartelës së pasurisë. Pas ardhjes së shkresës kanë lindur dyshime për çertefikatën e pronësisë së objektit. Nga verifikimet e kryera nga NJSAA rezultuan një sërë anomalish që çojnë në përfundimin që praktika është e falsifikuar.