
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar pasi teza e anglishtes u shpërnda nëpër rrjetet sociale para se 28 mijë studentë të uleshin për të testuar njohuritë e tyre.
Përmes një njoftimi zyrtar ministria e quan “akt të shëmtuar” fotografimin dhe publikimin e tezës së provimit të maturës të gjuhës së huaj.
Por pavarësisht këtij fakti, MAS thotë se publikimi i tezës nuk e cënon aspak procesin, ndërsa provimi po vijon me standarde të larta. Gjithashtu në reagimin e ministrisë theksohet se hartimi i testit është kryer në kushte të larta sigurie dhe profesionalizmi dhe organizimi i provimit ka përfshirë trajnimin dhe certifikimin e të gjithë personave të përfshirë në administrimin e Maturës.
"Akti i shëmtuar i fotografimit dhe publikimit të tezës së provimit të maturës të gjuhës së huaj, pasi ka nisur provimi, nuk ndikon aspak në proces dhe as nuk zhvlerëson punën dhe mundin e mijëra mësuesve e punonjësve arsimorë, që janë angazhuar prej muajsh që ky proces të jetë transparent dhe i drejtë për të gjithë nxënësit. Ministria e Arsimit dhe Sportit dënon fuqimisht çdo përpjekje për të minuar integritetin e procesit të provimit dhe punën e maturantëve, mësuesve dhe punonjësve arsimorë' thuhet në reagimin e MAS që vijon duke siguruar se provimi po zhvillohet në standarde të larta, duke krijuar çdo mundësi për maturantët që të tregojnë aftësitë dhe kompetencat e tyre të përfituara gjatë shkollës së mesme.
Këto standarde janë siguruar nëpërmjet programit orientues të Maturës Shtetërore, konsultimeve në çdo shkollë, testeve model të përgatitura nga QSHA, paratesteve të zhvilluara në çdo gjimnaz dhe këshillimeve nga shërbimi psiko-social për menaxhimin e stresit në provime”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Ministrisë.
Teza e Anglishtes, provim i cili zyrtarisht ka nisur prej orës 10.00 të kësaj të hëne dhe vijon dhe aktualisht deri në orën 12.30, ka dalë në internet. Siç shihet dhe nga fotot, teza me variantin A dhe B ka dalë në rrjetet sociale.
Rreth orës 09.30, para se maturantët të nisnin zyrtarisht provimin teza me variantin B është publikuar në llogarinë "Studentët Denoncojnë", ndërsa 30 minuta më vonë është publikuar dhe varianti A, shkruan newsbomb.al.